Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka sqaruar se pa Qeveri funksionale dhe pa Këshill Ekonomiko-Social të konstituuar nuk mund të ketë vendim të vlefshëm për pagën minimale. Këtë shpjegim Jakaj bënë në rrjedhën e një takimi që do ta mbajë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e që tema është rritja e pagës minimale.
Jakaj ka renditur hapat ligjor që do të mund të çojnë deri tek vendimi për rritjen e pagës minimale.
Postimi i plotë:
Hapat ligjor për të nisur diskutimet dhe vendosur mbi pagën minimale në Kosovë
– Konstituimi i Këshillit Ekonomiko-Social (KES)
– Propozimi i shumës së pagës minimale nga Sindikatat, MFPT dhe Odat Ekonomike
– Publikimi i propozimeve në Platformën Online për Konsultime Publike (së paku 15 ditë)
– Adresimi i komenteve nga KES
– KES merr vendim për nivelin përfundimtar të pagës dhe ia propozon Qeverisë për miratim
– Vendimi hyn në fuqi dhe zbatohet në pagat e punëtorëve nga 1 shkurt 2026
Çdo konsultim jashtë kësaj procedure nuk është ligjor.
Pa Qeveri funksionale (legjitime dhe legale) dhe pa Këshill Ekonomiko-Social të konstituuar, nuk mund të ketë vendim të vlefshëm për pagën minimale.