Murati thotë se pensionet po rriten pas një dekade stagnimi

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 12:59 | Nga Gzim Mujaj

Ministri Hekuran Murati, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se për një dekadë në Kosovë asnjë qeveri nuk ka marrë vendime që të rris pensionet, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, pas 10 viteve me qeverinë aktuale është duke u bërë ky ndryshim.

“Ky vendim po vije pas 10 viteve që këto skema pensionale janë të pa ndryshuara, hera e fundit ka qenë në vitin 2014. Kemi pasur edhe qeverinë Isa Mustafa nga ajo periudhë nga koalicioni PDK-LDK, me ministër të Financave Avdullah Hotin. Ka qenë edhe koalicion tjetër PDK-AAK-Nisma e udhëhequr atë kohë nga kryeministri Haradinaj, ministër i Financave Bedri Hamza që po ashtu nuk ka pasur ndonjë ndryshim apo rritje. Më në fund pas 10 viteve po bëhet ky ndryshim”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve, nuk është marr për shkak të zgjedhjeve.

“Marrja me rritje sipas shtesave të reja do të jetë nga ky muaj, do të fillojnë nga data 15 e muajit… edhe vendimi për rritjen e pagave ka qenë në vendimi në vitin 2023, kur ka hyrë në fuqi ligji i pagave, sepse atëherë patëm thënë do ta bëjmë ligjin e pagave, do të rriten pagat kur të bëhet ligji dhe pastaj do të ketë rritje çdo vit me ligjin e buxhetit. Për çka edhe ka qëlluar që ligji i buxhetit të përgatitet në muajin tetor, që përcakton që në muajin tetor të përgatitet ligji për ndarjet buxhetore dhe të dërgohen në Kuvend. Pra, pagat janë rritur në vitin 2023, në tetor të vitit 2023 është buxhetuar rritja për vitin 2024, si dhe ngjashëm në tetor të vitit 2024 është buxheti edhe rritja për vitin 2024. Ngjashëm është bërë edhe për pensionet. Pra, ka qëlluar që zgjedhjet të mbahen në muaji shkurt, po të mbaheshin në një muaj tjetër përsëri do ta kishim këtë cikël të ngjarjeve”, ka thënë ai.

Të ngjashme