Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq do të nxirret në shitje gjatë verës nga skuadra e Manchester Cityt, kanë njoftuar mediumet angleze të hënën.
Bëhet e ditur se te City nuk llogarisin më te portieri Muriq, i cili u huazua para fillimit të këtij edicioni për të fituar përvojë dhe minutazh më të madhe në ekipet tjera.
Fillimisht, Muriq u huazua verën e shkuar te ekipi i kategorisë së dytë të Spanjës, Girona përpara se të huazohej në Holandë në fillim të këtij viti, te skuadra Willem II. Mësohet se te City nuk janë të bindur nga paraqitjet e Muriqit, i cili pas përfundimit të sezonit aktual do të shitet.
Në fakt, Muriq edhe sezonin e shkuar ishte i huazuar te Nottingham Foresti por nuk pati minutazh të madhe.
Muriq 22-vjeçar iu bashkua skuadrës angleze në fillim të vitit 2015 nga të rinjtë e Zuerichut kurse në edicionin 2018/19 arriti të debutojë me ekipin e parë të Cityt.
Muriq ka kontratë me Cityn deri në vitin 2024 kurse kartoni i tij vlerësohet rreth 1.5 milionë euro.