Sulmuesi i Kosovës dhe Fenerbahçes, Vedat Muriqi, ka folur para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, takim ky gjysmëfinal i Ligës së Kombeve.
Sfida në fjalë luhet më 26 mars 2020 në Shkup. Fituesi luan finalen me Gjeorgjinë ose Bjellorusinë në udhëtim.
Muriqi gjatë një mesazhi të dërguar për ceremoninë “Laureatët 2019” të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ku fitoi “Çmimin Special 2019”, foli edhe për ndeshjen me Maqedoninë e Veriut.
“Kemi dy lojë të rëndësishme para nesh me Kosovën. Shpresoj se kemi me e bërë ëndrrën realitet dhe të kualifikohemi në EURO 2020. Mos harroni të na përkrahni, sepse një Kosovë jemi, një shtet kemi. Shihemi së shpejti”, tha Muriqi, raporton Gazeta Olle.
Sa i përket çmimit ai u ndje krenar me të arriturat.
“E ndjej vetëm shumë krenar për këtë çmim të dhënë nga KOK-u. Të jesh në mesin e sportistëve më të mirë të Kosovës është krenari për mua. Faleminderit, klubit, kombëtares, federatës dhe të gjithëve që më kanë ndihmuar”.
Vedat të shtunën iu kthye golit pas katër ndeshjeve shterpë me Fenerbahcen.