Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të mos jetë pjesë e ekipit të Lazios për ndeshjen që e luan të dielën ndaj Udineses, në kuadër të xhiros së nëntë të Serie A.
Siç raportoi “lazioneës24”, Muriqit i janë paraqitur probleme muskulore pas ndeshjes që Lazio e fitoi të martën ndaj Zenitit me rezultatin 3:1, në kuadër të Championsit.
Muriqi u inkuadrua në fushë në minutën e 80-të dhe pati disa duele me mbrojtësit e Zenitit. Ai pas pesë minutash në fushë, humbi një rast të mirë shënimi.
Sulmuesi 26-vjeçar nga Prizreni ka luajtur katër ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe katër në Serie A.
Por, në asnjërën prej tetë ndeshjeve nuk ka shënuar gol e as nuk ka asistuar.
Te Lazio u transferua në shtator të këtij viti nga skuadra e Fenerbahçes, derisa ka kontratë deri në verën e vitit 2025.