Ylli kosovar nuk ka arritur të lërë gjurmë në Lazio, gjatë janarit mund të rikthehet në Stamboll tek klubi ku e arriti kulmin e karrierës
Eksperienca e Vedat Muriqit në Lazio mund të marrë fund shumë shpejt.
Futbollisti kosovar nuk ka arritur asnjëherë të lërë gjurmë në ekipin italian.
Prandaj, sulmuesi prizrenas mund të largohet nga Roma qysh në janar.
Mediat turke raportojnë se 27 vjeçari e preferon rikthimin në Fenerbahçe.
Klubi turk po i mendon të gjitha opsionet për transferimin e gjigantit të sulmit.
Presidenti Ali Koç dhe trajneri Vitor Pereira janë të shqetësuar me problemet e Fenerit përpara portës.
Dhe, Muriqi shihet si shpëtimtar i këtij ekipi për pjesën e dytë të sezonit.
Edhe pse e ka mbështetjen e trajnerit Maurizio Sarri, Muriqi ka mbetur nën hije të sulmuesve të tjerë të ekipit.
Fenerbahçe e kishte shitur lojtarin për 18.5 milionë euro në vitin 2019.
Ndërsa, tash synon ta huazojë për gjysmë sezoni, me mundësi riblerjeje në verën e vitit tjetër.
Muriqi i kishte realizuar 17 gola dhe i kishte bërë 7 asistime në 36 ndeshje zyrtare me Fenerbahçen.
Ndërsa, tek Lazio i ka shënuar vetëm dy gola në 42 ndeshje zyrtare, derisa ka kontribuuar edhe me dy asistime.
Muriqi ka kontratë me “Biancocelesti” deri në vitin 2025.