Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil, Mursel Zymberi, po thotë se kjo kategori e punëtorëve në vazhdimësi është lënë pas dore nga qeveritë e deritanishme.
Për këtë ai po akuzon edhe grupet parlamentare duke thënë se janë të politizuara dhe se ngrisin zërin aty ku kanë interes elektoral, njofton Klan Kosova.
“Në të gjitha ngritjet e pagave që kanë ndodhur Shërbimi Civil është lënë anash. Edhe tash kur u ngriten pagat kryeministri Haradinaj na ka pritur në takim dhe na kanë premtuar edhe neve ngritje të pagave”.
“Por kjo s’ka ndodhur dhe Ligji i Pagave në mënyrë qesharake ka kaluar. Aty ka pasë gara në mes grupeve parlamentare se kush do të fitojë më shumë simpati. Tekn ne e kanë më pak interesin të përkthyer në vota”.
Zymberi në Info Magazine tha se premtimet për ngritje të pagave nuk janë mbajtur as nga shefat e grupeve parlamentare përkundër zotimit të tyre.
“Secila prej qeverive ka pru staf të vetin në administratën publike, e cila është e politizuar. Njerëzit që kanë qenë nën dikë nuk kanë guxuar të ngrisin zërin. Edhe shefat e grupeve parlamentare kanë premtuar se edhe shërbyesve civilë do t’iu rritet pagat. Po në fund doli që pagat e shërbyesve civilë kanë tej mase dallim me sektorët tjerë”.
“Një shërbyes civil me gradë universitare e ka koeficientin 12.15 ndërsa me një punëtor i shëndetësisë e ka koeficientin 2.20 me shkollë të mesme. Nuk jemi kundër ngritjes së të tjerëve por do të kisha dashur që edhe kolegët e mi që janë në grevë që edhe këta të ngrisin zërin”.