Mushkolaj ironizon me VV-në, thotë se “Zajednica” nuk kalon, Asociacioni po

Prishtinë | 04 Nën 2023 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Analisti Imer Mushkolaj, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me qëndrimet e partisë në pushtet. Ai ka shkruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe kalon.

“Zajednica nuk kalon, Asociacioni po”, ka shkruar Mushkolaj në profilin e saj në Facebook.

Theksojmë, se dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare raportoi para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për takimet e fundit në Bruksel.

Kurti, tha para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial. E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do paragjykoj e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë. E treta, drafti ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territorin, a shkëmbim territorial a bashkim për këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, shtoi ai. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.”, tha Kurti.

Sipas tij, kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” (v.j. që në gjuhën serbe do të thotë Asociacion) të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse “asisoi do të ishte i padiskutueshëm”.

Ai megjithatë tha se draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar. “Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, tha ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.

Kurti tha se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj. Megjithatë, ai tha se në draft parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raportoi të premten, më 3 nëntor, para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për takimet e fundit në Bruksel.

Kryeministri kosovar deklaroi para deputetëve se nuk mund të ofrojë detaje të draft-statutit. Ai tha se draft-statuti iu prezantua nga përfaqësuesit e “Pesëshes së Madhe” më 21 tetor në Prishtinë, të cilët, sipas tij, “më kërkuan garancione që drafti të mos e bëj publik, për shkak që publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsorizuese”.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve, duke shtuar se ky nuk është elementi i vetëm që duhet të zbatohet, pasi që Serbia nuk ka zbatuar nene të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e arritën më herët gjatë vitit. Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë – me të cilët Kurti dhe Vuçiq u takuan ndaras në Bruksel më 26 tetor – kanë kërkuar që Serbia të njohë de facto Kosovën dhe Kosova të formojë Asociacionin.

Të ngjashme