Eksperti i sigurisë Agim Musliu pas njoftimit të refuzimit të vizitës së patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije në Kosovë.
Sipas Musliut, KOS është bekuese e të gjithë kriminelëve dhe luftërave të dikurshme në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.
“Kisha Ortodokse Serbe i ka bekuar te gjithë kriminelët serbë luftërat e dikurshme në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. E ka bekuar Arkanin, Mladiqin e Karaxhiqin. Edhe plot të tjerë. Kë dëshiron ta bekojë tash në Kosovë kreu i Kishës Ortodokse Serbe? Kriminelët në barrikada? Kriminelët dhe terroristët e Radoiçiqit e të Vuçiqit? Kriminelët e Wagner-it e të Putinit?”, shkruan Musliu në Facebook.
Ai shton se hyrja e tij në Kosovë është shenjë e përshkallëzimit të situatës.
“Nëse hyn në Kosovë kreu i tyre është shenjë e përshkallëzimit të konfliktit edhe ashtu të tensionuar në veri të Republikës sonë. Në Merdar u kthye! Nuk do të duhej të hynte rrugëve ilegale një njeri i Kishës. Por ky është i Kishës Serbe!”, përfundon ai.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar kërkesën e Porfirijes, me arsyetimin se vetëm pas distancimit dhe dënimit të veprimeve të grupeve kriminale në veri të Kosovës, mund të aprovohet qëndrimi i tij në territorin e Kosovës.
“MPJD është përgjigjur se vizita e Porfirijes, do të mund të aprovohet vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje”, thuhet në arsyetim.
“Kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura”, përfundon MPJD-ja.