Musliu për Kurtin: I ka hipur kalit mbrapsht

Prishtinë | 03 Nën 2023 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kritikuar sot kryeministrin Albin Kurti për procesin e dialogut.

Ajo tha se nga qeveria janë lënë anash me qëllim proceset e brendshme të vendit, shkruan Gazeta Express.

“Ky që sot është kryeministër si duket I ka hipur kalit mbrapshtë. Kështu që të dashur qytetarë të Kosovës, dialogu me Serbinë e ka konsumuar aq shumë diskursin publik në këtë vend saqë shumë njerëz e kanë parë si trampolinë të vetme për të qenë në skenën politike. Duke thurur teori se kush është patriot e kush tradhtar janë lënë anash qëllimshëm proceset e brendshme politike dhe degradimi i brendshëm shoqëror”, ka thënë ajo.

Më tutje, Musliu tha se në politikën e jashtme, Kurti ishte edhe i dështuar edhe i nënshtruar.

“Këta individë që e kanë përdorur dhe keqpërdorur këtë proces, janë ata individë që këtë bëjnë pazare me dhimbjen dhe sakrificën e popullit. Janë individë të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm. Individi kryesor në këtë kategori është Albin Kurti i cili tani në tre vjetorin e qeverisjes së tij e ka vërtetuar vetëm një gjë. Udhëheqës i dështuar totalisht në politikën e brendshme kur në politikën e jashtme ka dëshmuar që është i dështuar por edhe i nënshtruar”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së tha se tash Kurti është duke e pranuar edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. /Express/

Të ngjashme