Musliu: Serbia përdorte propagandë kundër Adem Demaçit, sot po vazhdon me luftë hibride kundër Kosovës

Prishtinë | 29 Tet 2025 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Se propaganda e Serbisë ka gjenezën qysh moti e tregon dhe fakti ku më 20 mars të 1989-ës, gazeta serbe “Borba” në faqen e parë të saj kishte shkruar fejtonin “Dirigjenti nga burgu”, e që fjala bëhej për Adem Demaçin. Këtë fakt e ka sjell në vëmendje eksperti i sigurisë, Agim Musliu nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” duke thënë se nuk do të lejohet që lufta hibride serbe të dëmtoj as shtetin e as lirinë e Kosovës.

“Propaganda serbe nuk ka nisur sot. Ajo është më e vjetër se sa vet Serbia si shtet. Më 20 mars 1989, në faqen e parë të gazetës serbe “Borba”, kishte nisur fejtoni “DIRIGJENTI NGA BURGU”, i cili i kushtohej ADEM DEMAÇIT.  Atëbotë, Demaçi 53-vjeçar, kishte 27 vjet vuajtje dënimi në burgjet e Serbisë. Pra, pavarësisht përpjekjes së Serbisë që ta mbyllë DEMAÇIN dhe njëkohësisht ta mbyllë edhe aspiratën liridashëse shqiptare, BACA ADEM u lirua pas një viti nga burgu! Populli shqiptar e ndoqi rrugën e tij! Ai përfaqësoi politikisht UÇK-në, e liria erdhi 10 vite pas këtij fejtoni të propagandës serbe. Nuk duhet të lejojmë që lufta hibride serbe të na dëmtojë as shtetin e as lirinë tonë”, ka shkruar Musliu në rrjetin e tij social “Facebook”, duke  përfunduar me atë “Këtë ia kemi borxh Bacës Adem dhe fëmijëve tanë”.

Të ngjashme