Musliu-Shoshi për mos funksionimin e ambasadës së Kosovës në Australi: E dhimbshme ku kemi arritur si shtet

Prishtinë | 30 Gus 2021 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Arina Musliu-Shoshi, tha se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar totalisht.

Musliu-Shoshi tha se është e pafalshme mbyllja e ambasadës së Kosovës në Australi.

Postimi i plotë:

E dhimbshme ku kemi arritur si shtet!

Fatkeqësisht, kemi dështuar totalisht në politikë të jashtme, por jo vetëm. Përkundër faktit që e kam paralajmëruar disa herë – si në Kuvend, si në platforma të tjera – se Ambasada jonë në Australi do të duhet të mbyllet më 31 gusht, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Dhe ja ku jemi. Nga sot, me një mision de facto të mbyllur të Republikës së Kosovës. 📌Por, çka e bën edhe më të rëndë këtë situatë, është fakti që me mbylljen e kësaj Ambasade, JO vetëm Australia, por i GJITHË PAQËSORI ka ngelur pa përfaqësim, në një kohë kur edhe skadon moratoriumi të cilin Serbia e ka pasur për ndërprerjen e fushatës së ç’njohjeve. Pra, e kemi një nga rajonet më të cënushme, tërësisht pa përfaqësim.

Ndërkaq, ne akoma nuk e kemi asnjë propozim për Ambasador në asnjë nga vendet në të cilat Ambasadorët janë shkarkuar arbitrarisht. Kjo padyshim që i dëmton marrëdhëniet bilaterale të Kosovës me të gjitha këto shtete.

Në ndërkohë, Ministrja Gërvalla-Schëarz, në vend se të merret me këtë situatë tejet të rëndë në të cilën e ka sjellur diplomacinë kosovare, ajo është e zënë duke ia ‘hequr kapelën’ Arben Vitisë – i cili  me (mos)punën e tij, na mori në qafë si shoqëri e si shtet, duke e rrezikuar seriozisht shëndetin publik, e duke i thyer të gjitha rekodet e mëhershme, si me infektime, ashtu edhe me vdekje!

Kësaj Qeverie i ka humb rruga në oborr, e dëmet e kësaj ne si shoqëri do t’i vuajmë edhe shumë gjatë.

Të ngjashme