Musmurati: Akshampazar, 15 hektarë të pronës publike në Kalabri u falën për ndërtim nga Rama dhe Vetëvendosje

Prishtinë | 03 Qer 2024 | 21:43 | Nga Ekonomia Online

Pas miratimit të Planit Rregullues për lagjen “Kalabria” nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ka reaguar nënkryetarja e PDK-së dhe ish-drejtoreshë e Komunës, Besiana Musmurati.

Ajo e ka quajtur vendimin “akshampazar” ndërmjet kryetarit Përparim Rama dhe Lëvizjes Vetëvendosje!

“Akshampazari i koeficientave – 15 hektarë të pronës publike te Stacioni i Autobusëve në Kalabri u falën për ndërtim nga Përparim Rama dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka shkruar Musmurati, në Facebook.

“Deri në këtë orë të vonë, në zyre të Përparim Ramës u negociua koeficienti i ndërtimit për pronën publike. Jo për shërbime publike, jo për qytetarë por për kompani të ndërtimit. Ajo çka ndodhi në Badoc, u përsërit sonte në Kalabri”.

Sipas saj, që nga fillimi PDK-ka kishte bërë të ditur që ky plan kishte probleme të mëdha. “Dhe më vjen mirë që edhe njëherë asambleistët e PDK – Dega Prishtinë po tregojnë para Prishtinës që jemi kundër keqtrajtimit të pronës publike në dëm të qytetarëve e në favor të kompanive të ndërtimit”.

Ish-drejtoresha e Arsimit, e cila u shkarlua nga Rama pas prishjes së koalicionit qeverisës LDK-PDK ka falënderuar qytetarët që po iu shkruajnë mesazhe dhe po e mbështesin qëndrimin e PDK-së “kundër pazareve të tokave të ndërtimit”.

Të ngjashme