Musmurati: Mësimi mund të mos fillojë me 1 shtator në disa shkolla, shkaku i renovimeve

Prishtinë | 14 Gus 2023 | 08:24 | Nga Gresë Alija Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka thënë për Ekonomia Online se janë duke u ndërtuar dy shkolla dhe tri çerdhe të reja në lagjet e Prishtinës.

Përveç kësaj, Masmurati tha se janë rinovuar gjithsej 15 shkolla, ndërsa rinovimi i tërësishëm është duke bërë në 5 shkolla të Prishtinës “Naim Frashëri”, “Gjergj Fishta”, “Metro Bjaraktari”, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe “Gjin Gazulli”. Kjo sipas saj, mund të shkaktojë vonesa që mësimi të fillojë me një shtator. Mirëpo, ajo u shpreh se po bëhen përpjekje që nxënësit të mos humbin asnjë ditë mësim.

“Këtë vit kemi filluar me ndërtimin e shkollave të reja siç është ndërtimi i shkollës ‘7 Shtatori’. Jemi duke e bërë ndërtimin e një shkolle të re në Veternik që ka qenë një lajm i mirëpritur për një kohë të gjatë prej banorëve të Veterrikut, po ndërtojmë çerdhe të reja, kemi çerdhen ‘Xixëllonjat’ në Pejton, kemi një çerdhe të re në Dardani dhe një çerdhe në Kolovicë, si dhe po punojmë gjatë gjithëkohës që të përmirësojmë në përgjithësi infrastrukturën shkollore”.

“Renovim të thellë i kemi 5 shkolla, kjo nënkupton që shtatori do t’i gjej me të vërtetë në një gjendje komplet tjetër, shumë më të mirë, por renovime kemi bërë diku në rreth 15 shkolla të Prishtinës gjithsej, që nënkupton ndërrim të dyerve, dritareve, sanim të dyshemeve e kështu me radhë, por rinovim të thellë jemi duke e bërë në 5 shkolla të Prishtinës, shkollat Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Metro Bjaraktari, Hoxhë Kadri Prishtina dhe Gjin Gazulli”.

“Përgatitjet e nevojshme janë bërë gjatë gjithë kohës, ka disa shkolla që jemi duke i rinovuar plotësisht sepse kanë qenë për një kohë të gjatë në një gjendje jo shumë të mirë edhe kjo do të ndikojë që ndoshta në disa shkolla me pas pak vonesa, por po punojmë shumë që një gjë e tillë të mos ndodh, ne e patëm vjet edhe çështjen e grevës edhe pastaj mësimi në fund të vitit është shty, kjo ka ndikuar që edhe periudha ku na mundemi me intervenuar me renovime ka qenë më e shkurtë, por kjo ka me qenë përjashtim për dy tre shkolla në maksimum që mundet me u shty pak ose nëse mundemi po e shohim mundësinë që me i funksionuar disa shkolla që me mbajtur mësim dhe mos e humb asnjë ditë mësimore deri sa të përfundon renovimi i thellësishëm”.

Musmurati shtoi se këtë vit janë fokusuar tek matematika dhe po punojnë që këtë lëndë ta bëjnë sa më atraktive për nxënësit.

Ajo ka sqaruar se këtë ide fillimisht e kanë nisur me profesorin Qëndrim Gashi nga universiteti i Prishtinës, ish-ambasadori në Francë.

“Jemi fokusuar e kemi quajtur ‘vitin e matematikës’ dhe gjithë mësimdhënësit e matematikës në komunën e Prishtinës do t’i trajnojmë, që pastaj edhe mësimnxënia të bëhet duke pasur lojëra, mënyra më interesante se qysh të ia bëjmë atraktive matematikën fëmijëve, duhemi me punuar me fëmijë që me bë sa ma atraktive edhe sa ma të lehtë me i kuptuar termet të cilat janë në matematikë”.

“E kemi filluar si ide së pari me profesorin Qëndrim Gashi nga universiteti i Prishtinës, ish-ambasadori në Francë, kështu që ka qenë një projekt interesant që e kemi filluar me pas me një garë të matematikës në Prishtinë, pastaj filluam edhe me organizatën Toka edhe Universitetin e Prishtinës që të bëjmë trajnime për gjithë mësimdhënësit e matematikës që sivjet ta kemi një lloj viti të matematikës, mandej për vitin e ardhshëm do të mendojmë se cila do të jetë lënda e radhës që do ta fuqizojmë”.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka edhe disa plane të tjera që pritet t’i vazhdojnë nga shtatori, duke përmendur këtu punën për cilësinë në arsim, raporton EO.

“Kemi bërë edhe disa projekte të cilat do të vazhdojnë nga shtatori që kanë të bëjnë më rritjen e cilësisë në arsim, sepse është e vërtetë që shërbimet infrastrukturore janë shumë të nevojshme, mirëpo të njëjtën kohë duhet të punojmë si Drejtori e Arsimit që ta përmirësojmë cilësinë në arsim”.

Të ngjashme