Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar të martën se shkolla e re në Vranidoll do të hapet në tetor.
Ajo ka thënë se “në qeverisjen tonë jodiskriminuese”, infrastruktura shkollore do të jetë moderne dhe miqësore si në Prishtinë, ashtu edhe në fshatrat e saj.
“Kjo është shkolla e re në Vranidoll që do të hapet në tetor”, ka shkruar Musmurati në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje nga ndërtimi i shkollës.
“Bashkë me drejtorin e shkollës sot vizituam punimet në shkollën e re dhe u ndamë shumë të kënaqur me dinamikën e punëve që po vazhdojnë çdo ditë. Tetori ka me na gjetë me një shkollë të re, moderne që i plotëson të gjitha nevojat e nxënësve të Vranidollit”, ka shtuar ajo.