Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se e ka pasë nderin të takohet sot me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se shkuarja e shefit të qeverisë shqiptare në shtëpinë e tij në Prapashticë është nder për të dhe familjen e tij.
“Kisha nderin të takohem me Kryeministrin e Shqipërisë, z Edi Rama e të bashkëbisedojmë për shumë tema aktuale. Ardhja e tij në Prapashticë, ku po qëndroj tani, ishte shenjë kujdesi dhe nder i veçantë për mua dhe familjen time”.
Pas mëngjesit të punës, Rama tha se është ndjerë i nderuar nga mikpritja në shtëpinë e Mustafës, derisa ka shtuar se e ka njohur edhe familjen e këtij të fundit.
“NË PRISHTINË – Me kryetarin e LDK, Isa Mustafa, i nderuar nga mikpritja në shtëpi ku mu dha rasti të njoh edhe familjen e tij të bukur ”, ka shkruar ai në Facebook.
Takimi Rama-Mustafa u paralajmërua se do të mbahej pasditen e djeshme në selinë e LDK-së, por i njëjti u shty për sot dhe u zhvendos në shtëpinë e kryetarit të LDK-së në Prapashticë.