Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e Qendrës Tregtare ETC në Ferizaj, ku janë punësuar numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Ferizajt.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, përfaqësues të tjerë lokalë dhe qytetarë të shumtë.
Kryeministri Mustafa vlerësoi ndërtimin dhe hapjen e një objekti të tillë të madh dhe modern, i cili siç tha kryeministri, është i krahasueshëm dhe kalon standardet evropiane të objekteve të tilla tregtare.
“Është një shembull i mirë i bashkëpunimit dhe ndërlidhjes me të gjitha bizneset në Kosovë dhe bashkëpunimit tregtar me vendet në regjion dhe vendet e BE-së”, tha kryeministri, duke uruar ETC-në për punën shumë të madhe dhe kontributin e madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Mustafa ka uruar edhe kryetarin e Komunës së Ferizajt për hapjen e një objekti të rëndësishëm tregtar, i cili i jep një pamje dhe një vlerë të veçantë zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të përgjithshëm të Ferizajt dhe të këtij regjionit.
Muharrem Svarqa, kryetar i Ferizajt, ka vlerësuar lartë rëndësinë e inaugurimit të këtij objekti të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Komunës së Ferizajt.
“Kësaj radhe, kompania prestigjioze “Elkos” po përmbyll me sukses vitin fiskal duke inauguruar një objekt të kësaj rëndësie, i cili është një ndër objektet më të mëdha të komunës tonë si kompleks tregtar dhe po shënojmë një vit të rëndësishëm, i cili po e realizon ëndrrën tonë, që Ferizajn ta shndërrojmë në një vend të zhvillimit ekonomik, siç po shndërrohet tash në një qendër të rëndësishme tregtare bashkë me kompanitë tjera “Eli-Ab”, “Viva”, Viva Fresh”, Gama Electronics”, e të tjera, të cilat po kontribuojnë që të ketë një qarkullim më të madh të mallit, një asortiment më të mirë, një konkurrencë të zhvilluar dhe hapje të vendeve të reja të punës, si garancë për rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale”, tha Svarqa.
Kryetari më tej tha se Komuna e Ferizajt edhe këtë vit ka pasur regjistrim të bizneseve të reja.
“Kjo tregon për një kulturë të mirë, për një atmosferë të mirë për zhvillimin e bizneseve, të cilën do ta kultivojmë edhe në të ardhmen, falë bashkëpunimit që kemi me institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e në veçanti me gatishmërinë e afaristëve, të cilët kanë një shpirt ndërmarrës dhe për të cilët tregu i Komunës së Ferizajt është atraktiv, por i cili do të jetë shumë i ngushtë për veprimtarinë e tyre afariste dhe biznesore, të cilët po pushtojnë gjithnjë e më shumë tregjet edhe të shteteve të rajonit”, tha kryetari duke falënderuar kryeministrin Mustafa për përkujdesjen ndaj Ferizajt dhe qytetarëve të tij.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se ky objekt është dëshmia më e mirë sa ka avancuar sektori privat.
“Ky vit karakterizohet me disa ecuri pozitive ekonomike në radhë të parë është një vit i disiplinës financiare, pastaj i ndaljes së tenderomanisë masive, është një vit i fiskalizimit dhe është një vit i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, që janë katër shtylla që e karakterizojnë ambientin biznesor në Kosovë dhe kuptohet edhe raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare japin një vulë të qëndrueshmërisë ekonomike “, tha Gërxhaliu, duke vlerësuar edhe hapësirën e krijuar për prodhuesit kryesorë të brendeve “Made in Kosovo”.