Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën e Investitorëve për Projektin “Borea”, të organizuar nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Ta pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, përfaqësues diplomatikë si dhe afaristë të shumtë nga Peja, Kosova dhe më gjerë.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se qendra rekreative turistike “Borea” është një projekt i mrekullueshëm, një iniciativë tepër e dobishme e Komunës së Pejës.
“Është një projekt që kapërcen kufijtë e Pejës dhe të regjionit, por që bëhet projekt i gjithë vendit dhe mbarëkombëtar, një projekt i cili mund të jap impulse të mëdha të zhvillimit ekonomik të Pejës dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ky, po ashtu, është një projekt me të cilin ne do të mburremi nesër për bukuritë natyrore që posedon Peja dhe Kosova dhe për ofertën turistike që do ta kenë gjithë ata që do t’i shfrytëzojnë këto bukuri natyrore”, tha kryeministri.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa, shprehu besimin e plotë te afaristët vendorë që ata të investojnë në këtë projekt dhe që ata të jenë zotërues dhe bartës të këtij projekti.
“Ju garantoj se Qeveria e Republikës së Kosovës për çdo gjë do të mbetet përgjegjëse që të ju ndihmojë maksimalisht në mënyrë të drejtpërdrejt përmes ministrive përkatëse dhe përmes të gjitha organeve që përkrahin zhvillimin ekonomik”, tha kryeministri.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo ngjarje është rezultat i vizionit dhe kontributit që nga vitet 70-ta të intelektualëve dhe elitës së këtij qyteti të cilët mendonin për zhvillimin dhe për perspektivën e tij.
Kryetari Muhaxheri bëri të ditur se tashmë janë në fazën përfundimtare ku ky projekt del në suaza ndërkombëtare dhe hyn në një garë që në partneritet publiko privat të gjenden investitorët të cilët duke parë leverdinë e investimit, do të investojnë në këtë projekt dhe ky projekt të bëhet realitet.
“Besoj se këtë herë rrethanat politike dhe shoqërore, por edhe përkrahja e kryeministrit dhe Qeverisë është evidente dhe ky projekt vitin e ardhshëm do të jetë projekt që fillon të realizohet”, tha ndër të tjera, Muhaxheri.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ky është projekt i gjithë Kosovës.
“Nga studimi i fizibilitetit që është studiuar me shumë kujdes nga departamenti për partneritet publiko privat në Ministri të Financave dhe vlerësimi pozitiv që na është dhënë neve si komitet është se vlera për para e këtij projekti është shumë e madhe. Për t’u siguruar që projekti shkon përpara, për të pasur siguri të lartë të realizimit, projekti është vënë në faza dhe vlera e investimit që kërkohet nuk është vlerë e papërballueshme për kapacitetin e bizneseve që ka Peja, por edhe Kosova dhe unë besoj shumë se duke parë natyrën e këtij projekti do të arrihet një partneritet mes investitorëve vendor dhe atyre ndërkombëtar duke kombinuar në radhë të parë përvojën”, tha ministri Hoti, duke shprehur besimin se projekti do të ketë sukses të plotë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, theksoi se është mësuar shumë edhe nga Brezovica, por se dështimi i një projekti assesi nuk duhet të dekurajoj që të mos vazhdohet me projekte të tjera.
“Është një numër i madh i kompanive të huaja të cilat po interesohen për këtë projekt gjigant. Ajo çfarë ka ndodhur me këtë kabinet qeveritar është një kthesë e madhe edhe në tërheqjen e investimeve të huaja sepse konsideroj se ju jeni dëshmitar në fakt që ne në mënyrë të dukshme kemi përmirësuar ambientin e biznesit. Fatkeqësisht nga ndodhitë politike është parë pak nga masa, por ka qenë gjithçka e prekshme nga ana a afaristëve të cilët kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt dhe kanë pasur punë me institucionet tona. Ju e dini që janë përmirësuar në masë të dukshme politikat fiskale me Ministria e Financave dhe po vazhdohet tutje. Shumë shpejtë do të kemi edhe prokurimin elektronik i cili do të adresoj një çështje shumë të rëndësishme që ju preokupon të gjithë juve që jeni prezentë. Kemi punuar shumë në adresimin e barrierave dhe eliminimin e burokracisë dhe është një numër i madh i ligjeve të cilat janë ndryshuar ose janë në procedurë për ndryshim në favor të ambientit të biznesit”, tha ministrja Bajrami.