Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili më herët gjatë ditës e porosit LDK-së “mos t’i fërkojë duart sepse nuk do të ketë zgjedhje, raporton Ekonomia Online.
Mustafa tha se Veseli duhet t’i fërkojë duart para se të flasë për LDK-në. Ai ka thënë se sjellja e tij është logjikë e SHIK-ut.
“Kadri Veseli duhet t’i fërkojë duart e tij njëherë para se të flasë për LDK-në. Sjellja e tij është logjikë e SHIK-ut”, ka thënë Mustafa.
“Është mirë që Veselit të veprojë mbi bazat e përgjegjësisë si kryetar i Kuvendit dhe jo si shef i SHIK-ut, sepse është më tepër logjikë e SHIK-ut se logjikë politike. Askush nuk i fërkon duart për këtë gjykatë, atëherë duhet ti fërkojë duart e veta e jo të LDK-së”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se nuk shohin asnjë arsye që të bëhen pjesë e ekipit negociator, të cilin e quajti dekorues.
Ai ka shtuar se nuk do t’i bashkohen asnjëherë qeverisë aktuale.
“Nëse nuk shkohet në zgjedhje duhet të mendohet konfigurim i tërësishëm i qeverisë ose përfaqësimit të domosdoshëm që do mundësonte ratifikimin e marrëveshjeve”, tha ai, raporton EO.
Teksa ka numëruar zëvendësministrat, ministrat e këshilltarët e Haradinajt, Mustafa ka thënë se duhet të mendojnë ata për vendimet e kryeministrit, një prej të cilave është taksa ndaj Serbisë.
“Kur kam qenë kryeministër kam pas më pak këshilltarë. Duhet të mendojnë ata për të. Serbia e meriton dhe ka meritu një masë të tillë”, tha Mustafa.