Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës pas publikimit të koeficientit të pagave në vlerë 105 euro, raporton Ekonomia Online.
Mustafa në një konferencë për media tha se Qeveria e Kosovës sot ka goditur edhe një herë standardin e jetesës të shumë qytetarëve të Kosovës duke paraqitur një koeficient të pagave që nuk i përmbushë nevojat e tyre.
“Me këtë koeficient shumë kategorive të rëndësishme të punonjësve publikë nuk i ofrohet një pagë dinjitoze, ndërsa shumë të tjerave madje u zvogëlohen pagat mu në këtë periudhë të rëndë të krizës. Është vështirë e kuptueshme sjellja e një qeverie e cila në periudhën më të vështirë ekonomike në të cilën po kalon vendi, si pasojë e rritjes enorme të çmimeve, ndërmerr veprime të njëpasnjëshme që rëndojnë dhe nuk ndihmojnë gjendjen financiare të qytetarëve. Ende pa kaluar tronditja nga shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë, kjo qeveri ndërmerr një goditje tjetër, atë të ndëshkimit me pagë të kategorive të ndryshme të punonjësve të sektorit publik, duke lënë kështu qytetarët në pasiguri të lartë se cilat do të jenë veprimet e radhës të kësaj qeverie”, tha ai.
Prandaj, ai tha se PDK do të propozojë amandamentimin e Ligjit për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro.
“Gjatë kësaj qeverisje, rritje substanciale kanë shënuar vetëm çmimet dhe emigrimi, por jo edhe standardi i jetesës së qytetarëve. Për Partinë Demokratike të Kosovës, çdo koeficient page nën 120 euro vetëm se rritë degradimin që ka kapluar standardin e jetesës në Kosovës dhe kontribuon në humbjen e mëtejme të shpresës për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës do të propozoj amendament në Ligjin për Buxhetin, me kërkesën për rritje të koeficientit në vlerën 120 euro”, njoftoi Mustafa.
Mustafa konsideron që vlera e koeficientit të pagave e paraqitur sot nga Qeveria Kurti, jo vetëm që do të përkeqësojë mirëqenien e shumë kategorive të qytetarëve, por do t’i nxisë profesionistët të ikin nga sektori publik.
“Kemi një qeveri e cila tiparin më të dalluar e ka propagandën, por që assesi nuk po arrin të lë gjurmë në rritjen e përgjithshme të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Kjo politikë e pagave, përveç se do të përkeqësojë mirëqenien e shumë kategorive të qytetarëve, po ashtu do të ndikojë negativisht në cilësinë e shumë institucioneve duke i nxitur profesionistët që të ikin nga sektori publik”, theksoi ai.