Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur përsëri për zgjerimin e mundshëm të koalicionit, për të cilën thuhet se në të mund të futet edhe PDK-ja. Mustafa ka thënë se LDK-ja është e hapur për ta diskutuar çështjen e postit të presidentit.
Në një intervistë për Telegrafin, shefi i LDK-së ka folur për përplasjet mes deputetëve të LDK e LVV-së në seancën e Kuvendit të Kosovës, për mos kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri, për marrëdhëniet me AAK-në si partner koalicioni dhe çështjen e presidentit të ri që duhet të zgjidhet në afatin kushtetues.
Mustafa ka thënë se Kuvendi është bërë jofunksional dhe sipas tij më së paku po i përngjan organit ligjvënës e shumë më tepër një teatri me shfaqje të këqija për publikun.
Z. Mustafa, si i vlerësoni përplasjet e fundit ndërmjet deputetëve të LDK-së e LVV-së në seancën e Kuvendit të Kosovës?
Mustafa: Kuvendi është bërë jofunksional. Ai më së paku po i përngjan organit ligjvënës e shumë më tepër një teatri me shfaqje të këqija për publikun. LVV është tepër agresive dhe me këto sjellje paraqet rrezik permanent për skena të dhunës. Po shërbehet me gjuhë ofenduese dhe provokuese, si ndaj Kryeministrit ashtu edhe ndaj deputetëve të LDK-së. Është e papranueshme që të merren shkas të pagjetur për përplasje dhe përfitime politike.
A jeni penduar apo keni bërë mirë për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje?
Mustafa: Edhe ky diskurs i LVV flet se kemi bërë mirë, bile tepër mirë. Ishte një koalicion, në të cilin VV pasi kishte bërë për vete pak figura të LDK-së, kishte pretendime ta poshtërojë LDK-në. Këtë nuk ia lejuam.
Z. Mustafa, opozita LVV e PDK po e kritikon qeverinë Hoti për mos kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, pse nuk po kalon ky ligj kaq rëndësishëm?
Mustafa: Përgjegjësia themelore është te pozita, pastaj te opozita. Pozita lypset ti sigurojë 61 vota, të cilat mund ti sigurojë nëse koordinohet mirë, ashtu si bëri në leximin e parë. Opozita po gabon që po bënë opozitarizëm më një çështje jetike, me mbijetesën ekonomike dhe jetën sociale. Nuk bëhet opozitarizëm me shkatërrim të ekonomisë, me shuarje të vendeve të punës dhe me fukarallëk. Askujt nuk nevojitet të fitojë zgjedhjet nëse i ka kontribuar rrënimit të ekonomisë.
Pas rrethanave të reja dhe dorëheqjes së ish Presidentit Hashim Thaçi, tash kemi një moment të ri- a do të ketë marrëveshje politike për postin e presidentit?
Mustafa: Një marrëveshje e subjekteve politike duhet të arrihet, tani ose pas zgjedhjeve. Nuk ka vota për President pa një marrëveshje, sepse asnjë parti parlamentare dhe asnjë koalicion nuk ka dhe nuk do të ketë vota të mjaftueshme për të përmbushur procedurat e zgjedhjes së Presidentit. Vlerësoj se është më mirë të bëjmë një marrëveshje të mirë tani, sesa të futemi në një cikël i cili, pas zgjedhjeve, na sjell në të njëjtin vend.
Z. Mustafa, në publik po diskutohet një mundësi e zgjerimit të koalicionit qeveritar edhe me PDK-në, a keni mbajtur ndonjë takim së fundi me krerët e kësaj partie?
Takime nuk kemi mbajtur. Jemi të hapur që ta diskutojmë edhe këtë mundësi si pjesë e pakos për marrëveshje për zgjedhje të Presidentit.
Z. Mustafa, kryetari i AAK-së ka deklaruar se kjo parti insiston në postin e presidentit – a ka pajtim mes jush për këtë temë?
Mustafa: Në javët në vijim do të iniciojmë një tryezë të partive parlamentare, nga e cila do të dilnin përcaktimet për parimet, kriteret dhe kandidatët e mundshëm për këtë pozitë. Pas kësaj do të deklarohemi për vullnetin politik të LDK-së për ndonjë kandidat apo për zgjedhje të reja.
A ka mospajtime mes partnerëve në qeveri sot?
Mustafa: Ka pasur mospajtime për procesin e dialogut, qoftë për atë në Bruksel apo në Uashington, por vlerësoj se janë përafruar. Vazhdon të ketë, në disa raste, sjellje të disa ministrave që nuk përkojnë me rolin e tyre si anëtarë të qeverisë.
Ju personalisht a jeni të interesuar për postin e presidentit apo ka ndonjë propozim tjetër nga LDK?
Mustafa: Në këtë mandat, LDK e ka Kryeministrin e vendit. Nuk pretendojmë edhe pozitën e Presidentit. Nëse shkojmë në zgjedhje, çdo opsion mbetet i hapur.
A është LDK pro zgjedhjeve të reja parlamentare?
Mustafa: E vlerësojmë se zgjedhjet në këtë situatë pandemie nuk do duhej të mbahen. Por, në qoftë se nuk pajtohemi për Presidentin, do të pajtohemi për zgjedhje.