Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar me një shkrim në Facebook, pas publikimit të videomesazhit nga ana e Albin Kurtit, në të cilin tha se ka dështuar marrëveshja e koalicionit në mes të këtyre dy partive.
Mustafa thotë se nuk ka dështuar marrëveshja, por strategjia e Vetëvendosjes.
“Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti”.
“Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së” ka shkruar Mustafa.
Tutje ai tha se Vetëvendosje po tenton të përfitojë duke ofruar postin e presidentit për një ministri më shumë.
“Video-mesazhin e sotëm, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, përpara se t’ua drejtonin qytetarëve, është dashur të na i thonë neve të LDK-së, meqë na konsiderojnë partnerë. Gjithsesi, mesazhin e kemi të qartë edhe ne në LDK, por besoj edhe qytetarët e Kosovës.
Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë”.
Ai gjithashtu ka paraqitur se si e mendon LDK-ja ndarjen e balancuar të përgjegjësive.
“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë. Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore. Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet.
E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”.