Mustafa: Kemi shënuar progres historik në ekonomi

Prishtinë | 17 Kor 2017 | 19:33 | Nga

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka komentuar miratimin e pakos fiskale 2.0.

Ai ka thënë se me dy pakot fiskale, do të fuqizohet sektori privat, duke pretenduar se Qeveria që ai drejton ka arritur sukses historik në ekonomi, transmeton lajmi.net

“Miratuam sot Pakon Fiskale 2.0 me mbi 20 masa të reja të politikave fiskale, të cilat do të kenë impakt të madh konkret në të bërit biznes, duke fuqizuar sektorin privat si shtyllë kryesore e zhvillimit të vendit”, ka shkruar kryeministri në detyrë i vendit.

“Qeveria jonë, përmes dy pakove fiskale, reformave thelbësore dhe në dialog të vazhdueshëm me bizneset, ka shënuar progres historik në ekonomi, duke arritur rritjen më të madhe në rajon, duke rritur investimet e huaja, me Buxhet mbi 2 miliardë euro dhe rezultate të tjera për të cilat kemi marrë vlerësimet më të larta nga institucionet më kredibile globale”, ka thënë ai.

Sipasj tij kjo qeveri ka sjell veprime konkrete që kanë sjell rezultate për shtetin.

“Vendimet e mëdha për vendin nuk janë fjalë që thuhen fushatave paraelektorale për të arsyetuar veprimet amatoreske në politikë, por veprime konkrete reformuese që sjellin rezultate për shtetin, për ekonominë, për bizneset e qytetarët”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Të ngjashme