Mustafa: Kosova po shënon suksese të mëdha në fushën e biznesit

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 18:41 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ka vizituar biznesin që merret me prodhimin dhe shitjen e ëmbëlsirave “Missini Sweets”, e cila ka punësuar dhjetëra punëtorë.

Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë të arriturat e këtij biznesi, i cili ka filluar si mikrobiznes, është zhvilluar si biznes i vogël dhe tash po kalon në biznes të mesëm, duke pas perspektivën e një biznesi më të madh.

Mustafa theksoi se kjo tregon një rrugëtim shumë normal të zhvillimit të biznesit në Kosovë dhe shumë të suksesshëm, që është konkurrues edhe në pikëpamje të cilësisë, edhe në pikëpamje të estetikës, të mënyrës së prezantimit me produktet që prodhohen në vendet e Bashkimit Evropian.

“Biseduam këtu edhe me ministrat, me ministrin e Financave dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, se çfarë ne mund të bëjmë, në mënyrë që reformat fiskale që do t’i ndërmarrim më tutje, ta krijojmë një ambient më të përshtatshëm, në mënyrë që bizneset të ndihen më të lira sa i përket veprimtarisë së tyre dhe perspektivës së punësimit. Është një biznes që premton se do të dyfishojë numrin e të punësuarve me investime shumë modeste dhe me një përkrahje financiare shumë modeste në të ardhmen”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa më tutje theksoi se ky është një shembull i veçantë dhe që duke parë edhe rastet tjera, Qeveria të gjejë instrumentet e përkrahjes për biznese.

“Ne kemi nevojë që të dalim më shpesh, të takohemi me bizneset, të marrim mendimin e tyre se çfarë po ndodhë në jetën ekonomike, sepse gjërat janë shumë më të bardha, sesa nganjëherë shihen në opinion, sidomos në fushën e biznesit ka suksese të mëdha, ka iniciativa të mëdha, por ka edhe pranim të riskut, sepse asnjëri prej këtyre biznesmenëve nuk i ka hy kësaj pune pa e pranuar riskun dhe pa treguar një përkushtim të veçantë”, tha kryeministri Mustafa, duke ritheksuar përkrahjen e Qeverisë për bizneset.

Pronari i Fabrikës, Fatmir Misini, shprehu besimin se vizita e kryeministrit është një përkrahje e gjithanshme për trendet e mëtejme.

“I treguam problemet tona, problemet e tregut, problemet fiskale. Jam i sigurt që Qeveria me këtë profesionalizëm të saj do t’ia del pa kurrfarë problemi të ndihmoj bizneset që gjenden në tregun tonë”, tha Misini.
zkp-1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme