Mustafa kritikon Qeverinë Kurti: Nuk ulet varfëria me 100 euro për fëmijë e pensionistë, me to mund të blihen vota

Prishtinë | 01 Jan 2025 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar ashpër politikat ekonomike të qeverisë aktuale.

Mustafa ka thënë se efektet negative të inflacionit mund të zbuten vetëm përmes rritjes së të ardhurave personale.

“Efektet negative të inflacionit zbuten vetëm me rritje të të ardhurave personale në sektorin publik dhe me politika ekonomike të cilat e mbështesin sektorin privat. Nuk ulet varfëria dhe nuk përmirësohet mirëqenia me 100 euro për fëmijë e pensionistë. Por me këto para mund të bëhet fushatë; mund të blihen vota”,  tha Mustafa.

Mustafa thotë  se rritja ekonomike aktuale, rreth 4% është e ulët dhe nuk siguron standard të nevojshëm të jetesës dhe konkurrues me vendet e Ballkanit Perëndimor.

” Rritja vjetore e ekonomisë për këtë vit, që vlerësohet se do të jetë rreth 4 për qind, është e ulët. Kjo rritje nuk siguron standard të nevojshëm të jetesës dhe konkurrues me vendet e Ballkanit Perëndimor, ato të tranzicionit që janë bërë pjesë e BE-së si dhe me mesataren e BE-së”, tha Mustafa.

Ish-kryeministri i Kosovës kritikoi kryeministrin aktual Albin Kurtin për qasjen ndaj bizneseve të mëdha, duke thënë se këto biznese numërohen me gishta.

“Në Kosovë mund të numërohen në gishta kompanitë e mëdha private. Ato luajnë një rol të madh në punësim dhe në mbushjen e arkës së shtetit nga tatimet. Përdorimi pezhorativ i fjalës oligark për bizneset e mëdha është pasojë e mentalitetit që është në kundërshtim me ekonominë e lirë të tregut” ka thënë Mustafa për Express.

Të ngjashme