Mustafa: Kujt në Kosovë po i pengon lufta kundër korrupsionit dhe tenderomanisë

Prishtinë | 08 Pri 2017 | 09:59 | Nga

Mëngjesin e së shtunës kryeministri i Kosovës është marrë me të dhënat e raporteve të tri organizatave kredibile, që siç ka thënë Isa Mustafa e lavdërojnë Kosovën dhe qeverisjen e saj. Është marrë me raportet e Freedom House (SHBA), Banka Botërore dhe Tubimi më i madh botëror i bizneseve.

“Freedom House evidenton se vetëm Kosova ka përmirësim nga vendet e rajonit në luftën kundër korrupsionit, në pavarësinë e gjyqësorit, si dhe në pavarësinë e medieve”, ka thënë Mustafa.

“Gjatë këtij viti, 450 investitorë nga 54 vende të botës, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore e asociacioneve të biznesit nga e gjithë bota, i akorduan Kosovës çmimin për ‘Qeverinë më të mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësish’”, ka shtuar më tej.

Mustafa ka ripërsëritur se Banka Botërore konfirmoi se rritja ekonomike në Kosovë më 2016 ishte më e larta në Ballkanin Perëndimor dhe se ka kontribuar konsiderueshëm në krijimin e vendeve produktive të punës.
“Këto rezultate u arritën me punë dhe jo me zhurmë e propagandë e as me fushata. Ato figurojnë në raportet e institucioneve botërore. Nuk shlyhen!

Lind pyetja, kujt po i pengon progresi i jashtëzakonshëm i Kosovës gjatë dy viteve të fundit dhe posaçërisht lufta kundër korrupsionit dhe tenderomanisë”, ka thënë Mustafa.

Mbrëmë, Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, ka shkëputur po këtë grafikon nga raporti i Freedom House për demokracinë, për të sulmuar oponentët politikë që po kërkojnë mocion mosbesimi për Qeverinë Mustafa. Ka thënë se po i frikësohen ardhjes së demokracisë.

“Mocionistët po i frikësohen ardhjes së demokracisë dhe shanseve të tyre korruptuese në të ardhmen. Kosova ec edhe në luftë kundër korrupsionit. ‘Haters gonna hate’. Kosova i vetmi vend rajonal me trende pozitive sipas Freedom House”, ka shkruar Havolli.

Nisma për Kosovën e Fatmir Limaj ka marrë iniciativën për të kërkuar mocion votëbesimi për Qeverinë e Isa Mustafës, për të cilën ide deri tani ka marrë përkrahjen vetëm nga partitë opozitare, raporton Koha.net.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë thënë se një mocion i tillë do të ishte i vështirë pa përkrahjen e deputetëve të shumicës.

Në anën tjetër, deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë mbrëmë në “Interaktiv” të KTV-së se po punojnë ngushtë individualisht me deputetë të shumicës, për të realizuar idenë e të parit të partisë së tij, Fatmir Limaj, për rrëzimin e Qeverisë së Isa Mustafës përmes mocionit të votëbesimit.

“Po punojmë ngushtë me deputetët për të arritur numrat e nevojshëm për të realizuar këtë. Nga mesi i javës së ardhshme priten rezultatet konkrete. Ne nuk llogarisim në subjekte politike, por llogarisim në deputetë të mazhorancës por edhe të minoriteteve, sepse mendojmë se është në interes të të gjithëve që t’i jepet një epilog këtij dështimit të kësaj qeverisje”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se opozita nuk ka çfarë të fshehë, sepse dihet që nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar vetë Qeverinë.

“Po ta kishim do ta bënim moti. Por tash edhe deputetë të shumicës janë të bindur se kjo qeveri nuk e ka aftësitë e nevojshme për të marrë vendime në të mirë të vendit”, ka thënë Hoti.

Të ngjashme