Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka thënë Periskopit se partia e tij do të ‘rikthehet fuqishëm’ dhe se Kosova ka nevojë për ‘një parti shtetformuese si LDK-ja”.
Mustafa u pyet nga Periskopi lidhur me kandidaturat e deritashme për kryetar të partisë (Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku) dhe për këtë çështje tha se ‘është shumë e rëndësishme se kush do të jetë në krye të LDK-së”.
“Vlerësoj se është shumë e rëndësishme kush do të jetë në krye të LDK-së. Por mbi të gjitha është uniteti dhe fryma fundamentale e LDK-së, demokracia e brendshme dhe solidariteti partiak. Janë këto vlera që e dallojnë LDK-në nga partitë e tjera”, tha Mustafa për Periskopin.
Ai ka thënë se LDK nuk zëvendësohet nga ‘asnjë frymë apo parti e konjukturave”. Shtoi se ‘populizmi s’mund të jetë substitute i shtetformimit’.
“Kosova ka nevojë për një parti shtetformuese, si LDK-ja. Prandaj LDK do të rikthehet fuqishëm. Asnjë frymë e as parti e konjukturave nuk e zëvendëson një parti shtetformuese, siç eshte LDK. Popullizmi nuk mund të jetë substitut i shtetformimit”, tha Mustafa.
Kujtojmë se pas rezultatit të dobët të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit, Isa Mustafa dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë. Deri sot, kandidaturat zyrtare për ta udhëhequr LDK-në janë: Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.