Ish-ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë se ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.
Madje drejtori i Insajderit, Parim Olluri është intervistuar sot nga Policia e Kosovës.
Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se fjala e lirë është themeli i lirisë dhe demokracisë.
“Marrja në pyetje e gazetarëve të Insajderit sot është hapi i parë drejt shkeljes flagrante të lirisë së fjalës, të garantuar me Kushtetutë”, shkroi ai.
Mustafa shtoi se fjala e lirë edhe atëherë kur nuk na pëlqen është themeli i lirisë dhe demokracisë.
“Fjala e lirë, edhe atëherë kur nuk na pëlqen, e sidomos kur nuk na pëlqen, është themeli i lirisë dhe demokracisë. Nuk e kanë të drejtën as shumica, as turma, as politika ta heshtin fjalën e lirë, veç pse s’ju pëlqen, veç pse i djersitë”, shkroi Mustafa.
Dje mediumi “Insajderi” ka publikuar një hulumtim rreth procesit të sigurimit të vaksinave. Siç ka raportuar “Insajderi”, thuhet që ministri Vitia të ketë refuzuar nënshkrimin e një kontrate me kompanitë “Pfizer dhe BioNTech”.
Kjo është demantuar nga vetë ministri mbrëmë, i cili ka bërë thirrje që Prokuroria të veprojë ndaj atyre që dëmtojnë një proces kaq jetik për qytetarët.