Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike mbajti takim me Besian Mustafën, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në lidhje me sektorin e investimeve strategjike dhe për sfidat të cilat paraqiten gjatë zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike.
Mustafa tha se përveç të arriturave të kësaj agjencie, siç janë përkrahja e turizmit, projekte të ndryshme për ndërmarrje të ndryshme, organizime të panaireve të ndryshme, kjo agjenci është ballafaquar me shumë sfida, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se sfidat kryesore të kësaj agjencie janë se Kosova ka imazh të dobët për ta njoftuar tregun e huaj për kapacitetet në investime, që sipas tij, realiteti në terren është më i mirë sesa imazhi.
“Sfidat më themelore janë: nevoja për të përmirësuar, për ta njoftuar tregun e huaj për potencialin në Kosovë për zhvillimet e fundit në Kosovë. Imazhin e kemi më të dobët sesa punën që po bëjmë kjo është një ndër sfidat kryesore.
“Kemi nevojë për të koordinuar punët edhe me Ministrinë e Diasporës, kemi nevojë për mbështetje dhe qartësim më të mirë. Sfidë në implementimin e ligjit për investime strategjike mbetet edhe mungesa e kapaciteteve administrative financiare, për të promovuar dhe mbështetur investimet strategjike, është aktivitet i kushtueshëm, kërkon vite të tëra të promovimit në konferenca të ndryshme, por edhe duke caktuar takime që investitorët të vizitojnë Kosovën”, ka shtuar ai.
Vjosa Osmani, kryetare e komisionit nga LDK-ja, pyeti për ngecjen e diplomacisë ekonomike dhe për Brezovicën se a është kualifikuar si investim strategjik.
Besian Mustafa ka theksuar se diplomacia ekonomike nuk mund të jetë e mirëfilltë pasi që, sipas tij, ambasadave të Kosovës u mungojnë zyrtarë të veçantë të këtyre investimeve.
“I kemi vetëm 10 vjet shtet, nuk jemi duke shkëlqyer në shumë drejtime, nuk i kemi dhënë rëndësinë që meriton diplomacisë ekonomike. Nuk mund të presim diplomaci ekonomike të mirëfilltë nga dikush që ka 5 apo 6 poste, në ambasadat tona të kemi zyrtarë të veçantë për investime ekonomike”, ka thënë ai.
Ndërsa për Brezovicën ai ka theksuar se nuk është klasifikuar si projekt strategjik në bazë të ligjit, sepse kjo çështje është përmbyllur para se të krijohet ky ligj.
“Brezovica është përmbyllë si projekt para se të hyjë në investime strategjike. Nuk është klasifikuar sipas ligjit si projekt strategjik. Ne po mundohemi ta riaktualizojmë këtë projekt, ta promovojmë tek investitorët, nuk kemi pas sukses në këtë drejtim, jemi duke shikuar mundësinë ta zvogëlojmë këtë projekt”, ka shtuar ai.
Doruntina Maloku, anëtare e komisionit nga LDK-ja, pyeti për investitorët që duan të investojnë në miniera të cilat, sipas saj, kanë probleme me licensat e eksplorimit për të filluar pastaj me investime.
“Disa investitorë që vijnë nga Kanada kanë shprehë dëshirën të investojnë në miniera, po ligji për investime nuk po ua mundëson atyre licensat e eksplorimit për të filluar pastaj me investime.
A mendoni se pas hyrjes në fuqi të ligjit është shtruar nevoja qe të ndryshohen ligjet apo plotësohen për të lehtësuar procedurat për investime në Kosovë”.
Mustafa tha se me disa ndryshime legjislative investitorëve do t’u mundësohej investimi më i lehtë në Kosovë, sepse sipas tij, në çështjen e minierave nuk mund të fillohet investimi pa u bërë eksplorimi për të cilin duhen licensa.
“Ndryshimet legjislative, ndryshime të disa ligjeve, ne mund të kontribuojmë se cilat ligje mund të ndryshoheshin për të ju dhënë një kahje pozitive për investime strategjike, duke shtuar një nen për projekte strategjike”, tha Mustafa.
Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, tha se investitorët potencialë kthehen të zhgënjyer nga Kosova sepse, sipas tij, nuk iu ofrohen tokat për investimet e tyre.