Kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka komentuar vendimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për largimin nga partia të atyre zyrtarëve që kanë akuza lidhur me korrupsionin.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online po konsideron që ky është veprim që do t’i pezulloj ata deri në vendimin final të Gjykatës, por që ai e përkrahë pasi dikush është dashur të nisë këtë praktikë.
“Po ky është një lloj penalizmi, është e vërtetë mirëpo megjithatë në parim vendimi është i mirë sepse ne kemi akuza, disa prej nesh në Partinë Demokratike të Kosovës kemi akuza të ngritura për tejkalim të detyrës zyrtare ose për korrupsion, krim dhe është normale që një lider me marrë një vendim të kësaj natyre dhe dikush ka qenë dashtë me e nis me vendime të kësaj natyre. Ky vendim nuk është që e ndreq punën në Kosovë e as në parti, nisma e ndreqë sepse është vendim simbolik, vendim i cili disa prej neve na pezullon përkohësisht natyrisht derisa Gjykatat ta thonë fjalën e vet. Mbetet shumë punë për tu bërë sepse unë po e ripërsërisë numri i atyre që në shoqërinë e Kosovës janë të inkriminuar dhe nuk kanë akuza është larg më i madh, pakrahasueshëm më i madh sesa numri i atyre që kanë akuza”.
Mustafa shpreson që ky është vendim serioz, në të kundërtën do të jetë vetëm një fluskë politike.
“Po shpresoj që fundi po i vjen sepse shoqëria e Kosovës po degradon, nuk mundet me vazhdu kështu, prandaj jam i pari dhe i vetmi që kam dalë në përkrahje të liderit të PDK-së, Kadri Veseli, për shkak se dikush duhet me nis këtë punë. I besoj seriozitetit të tij dhe nëse nuk e ka seriozisht mbetët vetëm një fluskë politike. Unë besoj që ky vendim dhe iniciativa për ta themeluar Komisioni për Verifikimin e Listave të Veteranëve dy aktet e para që kanë me e bë këtë kthesë”.
Mustafa i i cili po gjykohet tash e 3 vjet ka thënë që ajo çfarë në të vërtetë duhet të bëjnë liderët politikë por edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli,është që së pari ta rregullojnë sistemin e drejtësisë në vend.
Sipas tij duhet të bëhet Vettingu në sistemin gjyqësorë të Kosovës.
“Pra ajo që duhet të bëjë Veseli dhe të gjithë përgjegjësit e lartë politik në këtë vend është që së pari ta rregullojnë mekanizmin i cili vendos drejtësinë në këtë vend, është sistemi i drejtësisë atje nëse bëhet filtrimi apo Vettingu që po thuhet tek atëherë nisë e mbara sepse e dimë që kur nisin hetimet për dikë ato janë formale. Ka indikacione të mjaftueshme për me nisë hetim, me intervistu dhe me ngritë akuza dhe akuzat duhet të jenë të bazuara, mundet një pjesë me ra akuza, mirëpo nuk mundet krejt me ra, krejt akuza, nëse bien krejt akuza atëherë atë prokuror duhet me sanksionuar sepse nuk mundemi kështu me vazhdu pa kufi. Kemi ardh në një situatë ku nuk na funksionon politika, ekonomia, shkolla arsimi, shëndetësia, administrata, e kemi bë njëfarë shteti i cili mund të vazhdoj edhe një periudhë jo të gjatë në këtë mënyrë dhe bien në humnerë praktikisht një shteti të dështuar”.
Ndërsa për rastin për të cilin po gjykohet, Mustafa thotë se është i sigurt se Gjykata do ta shpallë të pafajshëm atë dhe 39 zyrtarët që po akuzohen.
“Jam i sigurt që fundi i këtij gjykimi do të jetë pafajësia e të gjithë neve 39 sa jemi aty sepse unë e njoh veten mirë e di pse kam shkuar në komunë, nuk kam shku në komunë për me u pasur sepse kur kam shku atje unë nuk kam pasë shumë pasuri po kam pasë disa qindra mijëra në mall dhe në qarkullim edhe në ndërkohë krejt ajo është “Tëhollu” deri sa e kam ndalë edhe biznesin duke ju përkushtuar komunës dhe kështu i kam pasë edhe zyrtarët”.
Qeverisjen komunale në Gjilan që udhëhiqet nga Lutfi Haziri nga radhët e LDK-së po e konsideron të degraduar dhe me projekte “Kozmetike”.
Sipas tij, Haziri nuk merret me qeverisjen komunale dhe me qytetarët, por me shkëmbim të territoreve.
“Ne Gjilan gjendja është aspak e mirë për shkak se ky njeri përfundimisht është një njeri i cili sorollatet, llomotit formaton fraza del bënë ndërrime të kufijve, zhvendosje të kufijve që nuk është detyrë e tij, detyrë e tij është të qëndrojë në komunë 24 orë dhe ta monitorojë procesin, me i prit qytetarët. Detyrë e tij është me bë plan zhvillimorë për komunën, me ju qëndru prapa fjalëve të tij, mos me e mashtru publikun prej të cilit ka marrë besim, ka marrë votë”, tha Mustafa, për Ekonomia Online.
Qemajl Mustafa është kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, por që tani po kontribuon në këtë parti si aktivist pasi pas vendimit të Veselit është i pezulluar, ndërsa dega e PDK-së në Gjilan deri në vendimin e Gjykatës do të udhëhiqet nga nënkryetarët.