Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka demantuar pretendimet e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për rritje të qarkullimit të bizneseve në këtë vit.
Ai ka bërë me dije rritja e qarkullimit të bizneseve në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve nuk tregon asgjë për gjendjen reale të ekonomisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se pretendimet e Muratit janë cinizëm dhe shkëputje nga realiteti.
“Ish-ministri i financave i një qeverie që çdo ditë po e shkatërron sektorin privat, sot paska folur për rritje të qarkullimit të bizneseve. Në kushtet, * kur bizneset po goditen rëndë nga rritja e dhunshme e çmimit të energjisë elektrike, * kur deficiti tregtar po thellohet dhe * kur bizneset po humbin sigurinë për të investuar në Kosovë, të flasësh për performancë të mirë të ekonomisë, nuk është gjë tjetër veçse cinizëm dhe shkëputje nga realiteti”, ka shkruar ai, duke treguar se gjendje reale e ekonomisë është e qartë për cdo qytetar.
“Rritja e qarkullimit të bizneseve në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve nuk tregon bash asgjë për gjendjen reale të ekonomisë. Gjendja reale e ekonomisë është shumë e qartë për çdo qytetar: fatkeqësisht, sot në Kosovë flitet vetëm për varfërim dhe humbje besimi për një jetë më të mirë”, ka shkruar Mustafa.