Mustafa: Ne i kthyem 70 për qind që na ikën në Evropë, Kurtit s’po i kthehet askush

Prishtinë | 01 Gus 2023 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur deklaratës së kryeministrit aktual, Albin Kurti i cili dje përmes një postimi në Twitter ka pretenduar që falë politikave të tij të punës, sot janë 400 mijë pozita pune aktive.

Mustafa ka thënë se investimet publike në vend kanë rënë dhe si pasojë e saj nuk ka as para në qarkullim.

“Investimet publike kanë ra. Vitin e kaluar kanë qenë në nivelin më të ulët që nga çlirimi e këndej. Dhe nëse s’ka investimet publike, atëherë s’ka para në qarkullim. Atëherë kërkesa agregate bjen. Unë s’mund ta fajësoj qeverinë për inflacion, sepse s’ka qenë vec në Kosovë, por qeveria është krejtësisht fajtore që s’ka marrë asnjë masë që ta zbusë pasojën e inflacionit te qytetarët”, ka thënë ai për Kanal 10.

Mustafa e kritikoi Kurtin edhe për papunësinë dhe ikjen e qytetarëve, duke thënë se në qeverisjen e tij kanë arritur t’i kthejnë qytetarët që migruan, ndërsa tani nuk po ndodh kjo.

“S’janë rrit pagat e as mëditjet. S’ka rritje të punësimit, ka ikje të qytetarëve. Por, për punësimet që po flitet, mund të flasim për njerëzit tanë në Gjermani sepse kanë ikë e janë punësuar në Gjermani, por s’janë punësuar në Kosovë. Ne kemi pasur ikje të mëdha, edhe unë kam pasur ikje në vitin 2015, ikja e 60-70 mijë qytetarëve, por kemi arritur që t’i kthejmë 70% të tyre në Kosovë. Tani s’po kthehet më askush”, tha tutje Mustafa.

Të ngjashme