Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për mbështetjen e sektorit privat në ekonominë e Kosovë.
Fillimisht, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, kanë zhvilluar një takim pune me Presidentin Chakrabarti dhe drejtuesit e tjerë të BERZH-it.
Kryeministri Mustafa e vlerësoi lartë rëndësinë e nënshkrimit të këtij memorandumi dhe përkrahjen e deritashme të BERZH-it për Kosovën, duke përfshirë sektorin privat.
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit veçmas në përkrahje të fushës së biznesit.
“Kemi nevojë që sektorin privat të biznesit ta fuqizojmë në Kosovë, të bëjmë reforma strukturore në ekonomi, të bëjmë reformat të cilat mund të lidhen me tregun e Bashkimit Evropian dhe me tregjet tjera. Por, poashtu, të kemi lidhje edhe më të mira me regjionin në pikëpamje të zhvillimit ekonomik dhe të bashkëpunimit. Ne vlerësojmë të gjitha projektet që kemi zhvilluar me ju, që nuk janë pak, kanë ndikuar që të përmirësojnë gjendjen ekonomike dhe sociale në vendin tonë dhe këtë sukses e shohim si sukses të mbështetur fuqimisht nga ju”, tha kryeministri Mustafa.
Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, tha se nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BERZH-it ofron një kornizë për përkrahje të përbashkët të sektorit privat në Kosovë.
Presidenti Chakrabarti foli për strategjinë e fundit për Kosovën, të miratuar nga Bordi i BERZH-it, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të rolit të sektorit privat në ekonomi, si një çelës i vënies së vendit në një rrugë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke u bazuar në sektorin privat konkurrues.
Duke folur për fushat që mbulon kjo marrëveshje, presidenti Chakrabarti theksoi nevojën e një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.
Presidenti Chakrabarti, po ashtu, theksoi bindjen se një qasje gjithëpërfshirës do të jap rezultate të shpejta duke shprehur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet BERZH-së dhe Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
BERZH deri tani ka investuar 227 milionë euro në 51 projekte në Kosovë, ndërsa me 157 milionë euro po mbështeten projektet ekzistuese.
Strategjia e re e BERZH-it është në linjë me prioritetet e strategjisë për zhvillim të sektorit privat dhe sektorit të energjisë në Kosovë.
Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar sot, po ashtu, do të ofrojë përkrahje të fuqishme për sektorin privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke ofruar përkrahje të rëndësishme edhe për zonat ekonomike nëpër Kosovë dhe projekte të tjera të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.