Mustafa: Nuk ridefinohen kufijtë me referendum të njëanshëm e me konferenca për shtyp

Prishtinë | 11 Gus 2018 | 11:12 | Nga

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një retorikë shterpe, ndonëse e papërgjegjshme dhe e rrezikshme.

Në një intervistë për Koha.net, kreu i LDK-së thotë se rihapja e çështjes së Kosovës është e barabartë me rihapjen e pavarësisë. Sipas tij, këtë nuk ka të drejtë ta bëjë askush dhe se me Serbinë na nevojitet marrëveshje për njohje reciproke, në kufijtë në të cilët Kosova ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht.

Mustafa ndër të tjera thotë se po vëren madje presion për t’ia imponuar opinionit nevojën urgjente të një marrëveshje përfundimtare.

“Vërej se po ushtrohet një presion i kurdisur për t’ia imponuar opinionit nevojën urgjente të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Duket të jetë një fushatë e bashkërenditur, si pasojë e së cilës pastaj do të shfaqeshin shpëtimtarët nga pala e Kosovës dhe e Serbisë. Unë nuk besoj se asgjë nga kjo është urgjente e as emergjente. Kosova ka shpallur pavarësinë, është njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës, kemi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe në qoftë se flitet për marrëveshje përfundimtare, atëherë janë këto akte përfundimtare. Rihapja e çështjes së Kosovës është e barabartë me rihapjen e pavarësisë. Këtë nuk ka të drejtë ta bëjë askush”, tha Mustafa për Koha.net.

Me Serbinë, thotë ai, na nevojitet marrëveshje për njohje reciproke, në kufijtë në të cilët Kosova ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht. “Nevojitet normalizim i marrëdhënieve dhe fqinjësi e mirë”.

Mustafa ka folur edhe për deklaratat e Thaçit për korrigjimin e kufijve dhe zgjidhjen përfundimtare me Serbinë, ndonëse nuk përmend shkëmbimin e territoreve. Flet edhe për deklaratat e kryeministri Ramush Haradinaj, dhe politikanë të tjerë në vend, që po thonë se një ide e tillë, gjegjësisht një shkëmbim territori me Republikën e Serbisë (veriu i Kosovës për Luginën e Preshevës), do të na çonte në një luftë të re. Këto Mustafa i quan të rrezikshme.

“Është një retorikë shterpe, por e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Njëri premton se e marrim Luginën e Preshevës dhe nuk japim asgjë tjetri se korrigjimi i kufijve shkakton luftë, por të gjithë qeverisin bashkërisht, së bashku i ndajnë rolet, së bashku paraqiten në Bruksel dhe bashkërisht mundohen të mashtrojnë opinionin. Nuk i besohet as njërit e as tjetrit. Në Ballkan nuk ridefinohen kufijtë mbi baza etnike as me referendum të njëanshëm dhe as me konferenca për shtyp. Sepse rrjedhimisht do të shtrohej pyetja, nëse mundet Lugina e Preshevës, pse nuk munden edhe territoret e tjera. Sa i përket Vuçiqit, siç duket atij po i konvenon dhe ekziston një lloj koordinimi në këtë aspekt, që kjo lloj agjende e rrezikshme të shtyhet përpara. Në anën tjetër, edhe Gjuriqi po thotë që atyre iu takon Ujmani, “Trepça”, Vallaqi…! “, thotë Mustafa.

Në fakt, sipas tij, korrigjimi i kufirit përfundon me shkëmbim, merr në një pjesë, jep në pjesën tjetër.

“Kur merr, bashkon territorin, kur jap e ndan atë. Vetëm Rusia “i korrigjoi” kufijtë pa shkëmbim, i aneksoi me forcë territoret nga shtetet fqinje, e Kosova nuk është as Rusi, por as Serbi. Kosova i ka kufijtë shtetërorë dhe duhet të respektojë kufijtë e vendeve fqinje. Për këtë na obligon Kushtetuta, na obligon Deklarata e pavarësisë. Presidenti me këto deklarata rrezikon të shkelë Kushtetutën, kryeministri nuk po e ushtron punën e tij, por merret “me punë të brendshme””, tha Mustafa.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme