Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se partia në pushtet ka dështuar dhe ka dëshpëruar gjithë Kosovën, duke mos pasur vizion dhe plane për të ardhmen, raporton Ekonomia Online
Prandaj, sipas tij qeveria Kurti po bën shaka pa krip në kurriz të qytetarëve të këtij vendi.
“Partia në pushtet ka dështuar dhe ka dëshpëruar gjithë Kosovën, pa vizion, pa plane për të ardhmen. Ata bëjnë shaka me qytetarët në vend që të japin përgjigje e të bëjnë zgjidhje. Ata bëjnë vetëm shaka pa krip në kurriz të qytetarëve të këtij vendi. E qytetaret meritojnë një udhëheqës që ka plan për të ardhmen e tyre. Kryeministri i ardhshëm Abdixhiku e sfidoj Albin Kurtin që të dal me debat, kur do në çdo kohë, por pushteti nuk ka përgjigje”, tha Mustafa në konferencën për shtyp.
Mustafa ka theksuar se kjo qeveri po i përbuz qytetarët.
“Pushteti po i përbuz qytetaret. Nuk ndjen që qytetarët kanë nevojë për përgjigje. Qytetarët e din se kush do të vazhdoj zhvillimin e këtij vendi. Ata janë kryeministri i ardhshëm Abdixhiku”, tha Mustafa.
Mustafa ka folur edhe në lidhje me dënimin prej 20 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se ekipi i juristëve është duke e analizuar këtë gjobë.
Ai ka shtuar se është paraqitur edhe një kërkesë në Gjykatën Supreme për siç ka thënë nivelin e gjobës.
“Ekipi jonë i juristëve është duke analizuar, me aq sa kam informacion ka paraqitur dhe kërkesë në Gjykatën Supreme, për shkak të nivelit të gjobës. Sapo të marrim përgjigje përfundimtare do ju njoftojmë”, ka deklaruar ai në një konferencë për media. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që LDK-së t’i shqiptojë dënim prej 20 mijë eurove pas pranimit të një ankese nga VV-ja ku është pretenduar se kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Xheneta Suka, me anë të një shpërndarje të videos ka krahasuar kryeministrin Albin Kurti me Adolf Hitler.