Mustafa për deklaratën e Bislimit: E pavërtetë e kulluar – drafti i tanishëm nuk konsiston nga marrëveshja e 2023

Prishtinë | 14 Dhj 2023 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vlerëson se ajo që tha zëvendëskryeministri aktual, Besnik Bislimi, ishte fushatë e ulët politike.

“Opozitën e quajti bashkëpunëtore të Serbisë, dhe për ta larë veten dhe qeverinë Kurti nga papërgjegjësitë për marrëveshjen e fundit me Serbinë, u mor edhe me mua. Nuk ndjej ndonjë kënaqësie kur njerëzit që nuk i konsideroj merren me mua, sepse si kundërshtar politik do duhej të merreshin me opozitën, pasi unë nuk po shfaqi pretendime t’ua marr pushtetin”.

“Dëshiroj të theksoj se çdo gjë që e tha mbrëmë në kontekst të dokumentit të vitit 2015 ishte një pavërtetë e kulluar, për fat të keq e dalë nga goja e një zëvendëskryeministri të Republikës së Kosovës dhe profesor i Kolegjit Amerikan në Prishtinë”, ka thënë ai, duke komentuar deklaratën e Bislimit, i cili tha një natë më parë në RTK se Mustafa nuk ka kërkuar që në nenin për dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese, por që këtë e ka kërkuar Serbia.

Mustafa ka shtuar se statuti i Asociacionit që qarkullon në opinion dhe tani e kanë edhe deputetët, nuk konsiston në asnjë formë me Marrëveshjen e vitit 2013.

“Vetëm thirret në mënyrë abuzive në të. Statuti, me të cilin është pajtuar z. Bislimi promovon Autonominë politike dhe territoriale të serbëve në Kosovë. Prandaj edhe nuk mund të jetë Statut i Asociacionit por është Statut mbi Autonominë!? Është diçka krejtësisht e re, që nuk mund të mbështillet me marrëveshjet e mëparshme”.

“Janë të çoroditura edhe pikëpamjet e Bislimit mbi mënyrën sesi do t’i përcillet ky statut në shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo nuk është mentore e qeverisë dhe recensente e vendimeve të saj, por ajo shqyrton se a është një akt juridik i qeverisë në harmoni me Kushtetutën; jo një akt i hartuar nga jashtë qeveria”.

“Në këtë rast qeveria nuk mund ta luajë rolin e postierit por të vendimmarrësit”.

Të ngjashme