Mustafa: Për gjuhën ofenduese të Vulinit do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili arsyetoi në parlament përdorimin e termit pezhorativ e ofendues “shiptari”.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka thënë se drejtësi do të kërkojnë edhe në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Reagimi i plotë i Mustafës:

“PËR GJUHËN OFENDUESE E DENIGRUESE DO TË NDJEKIM EDHE NË GJYKATËN E STRASBURGUT

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vullin duke arsyetuar në parlament përdorimin e termit pezhorativ e ofendues “šiptari” kërkon që shqiptarët të jeni si Esad Pash Toptani.

Në deklarimin e tij thotë që nuk dëshiron që deputetin Shaip Kamberi ta krahasoj me Shaban Palluzhën, por me Esad Pash Toptani

Duke mos u mjaftuar me gjuhën e urrejtjes z. Vullin përcakton se çfarë shqiptar e me çfarë karakteristika janë të përshtatshëm për Serbinë!.

Në fjalimin e tij, edhe kërcënon “Kush guxon të kritikoj gjykatën tonë dhe ta kërcënojnë me Strasburgun, në shtetin e pavarur dhe të lirë të Serbisë? “

Unë jam krenar që jam shqiptar. Jam i nderuar që më është dhënë rasti të jam në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, në veçanti të shqiptarëve të Luginës. Krenar me historinë e të gjithë heronjëve që kanë mbrojtur pragun e shtëpisë nga agresorët.

Edhe Juve z. Vullin si Ministër i fuqishëm në Qeveri, e cili do zyrtari tjetër të lartë, do ta kundërshtojmë pa kompromis institucionalizimin dhe legalizimin e gjuhës ofenduese, përçmuese e abuzuese ndaj shqiptarëve.

Gjykata e Lartë ne Beograd vendosi në mënyrë të paprecedentë në favorin Tuaj. Ne do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit e do të shterim të gjitha mundësitë ligjore brenda sistemit gjyqësor në Serbi.

E drejtësi, pa dilemë, do të kërkojmë edhe në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Ky nuk është kërcënim kjo është procedura për mbrojtje nga gjuha Juaj denigruese.

Drejtësi për të gjithë. Barazi para ligjit për të gjithë, qofsh edhe ministër në Qeverinë e Republikës së Serbisë”, ka shkruar Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme