Mustafa për shkallën e re tatimore: Ndryshim simbolik i politikës fiskale, 6.80 euro shtesë për qytetarët

Prishtinë | 27 Gus 2024 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, e ka quajtur ndryshim simbolik të politikës fiskale, ndryshimin e Ligjit për shkallën tatimore në të ardhura, raporton Ekonomia Online.

Mustafa ka thënë se individët me të hyra deri në 500 euro do t’i kenë 6.80 euro shtesë, ndërsa ka thënë se për katër vite qeverisjeje, është masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës.

“Qeveria e paska bë një ndryshim simbolik të politikës fiskale, përmes ndryshimit të shkallëve të tatimit në të ardhura personale. Individët me të hyra të tatueshme prej 500 euro, tani do ti kenë në llogaritë e tyre 6.80 euro shtesë. Pra, në 4 vite qeverisje, kjo është reforma fiskale e kësaj qeverie dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës, 6.80 euro shtesë”, ka shkruar Mustafa.

Shembull:

Paga bruto: 300 euro

Kontributi pensional: 5% punëtori (15 euro) dhe 5% punëdhënësi (15 euro)

Paga që tatohet: 300-15 (kontributi i punëtorit) = 285 euro

Shkallët tatimore deri tash në Kosovë:

Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro

Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro

Paga prej 250 – 450 euro (8 për qind tatim) = 2.8 euro (285-250=35; 8 për qind e 35 euro=2.8 euro)

Gjithsej tatimi për pagë bruto 300 euro: 0 + 6.8 + 2.8 = 9.6 euro

Paga neto: 300-15 (kontributi pensional) – 9.6 euro (tatim) = 275.4 euro

Ndërkaq me ligjin e ri, shkalla tatimore ndryshon dhe ajo e dyta, prej 4 për qind hiqet. Pra, çdo punëtor do të paguajë 6.8 euro më pak tatim për pagë. Në rastin me 300 euro pagë bruto, paga neto do të ishte 282.2 euro.

Ky Ligj në fund të qershorit u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese se nuk e shkel Kushtetutën.

Paga minimale në vend do të bëhet 264 euro bruto, nga 130-170 sa ishte qe 11 vjet.

Sipas Qeverisë, nga ndryshimi i shkallës tatimore përfitojnë rreth 380 mijë punëtorë.

Të ngjashme