Pjesëmarrja e ulët e grave në biznes vazhdon të jetë temë shqetësuese.
Kjo gjendje bëhet edhe më e rënd për faktin se në Kosovë, kryesisht iu referohet statistikave për numrin e grave të përfshira në biznes, e jo një force e cila ndikon ekonomikisht në zhvillimin e vendit si dhe mirëqenien e familjes dhe shoqërisë.
Zëvëndës drejtoresha e Institutit ‘’RIINVEST’’, Saxhide Mustafa ka thënë se, ekziston disproporcion i madh në mes të burrave dhe grave në raportim punëdhënëse dhe punëmarrëse.
“Përfshirja e grave në ndërmarrësi është mjaftë e ulët,vetëm 11.4 përqind e grave janë të përfishira në ndërmarrës ose kanë biznes të vetin në pronësi. Përfshirjës së ulët të grave në biznes i paraprijnë shumë faktorë, njëri ndër ta është ngase jemi shoqëri patriarkale”, është shprehur ajo.
Tutje, ajo është shprehur se ka shumë gra që janë avancuar dhe janë model për gratë e tjera, por që sipas saj po promovohen pak, përcjell Klankosova.tv.
Ndërkaq, Blerinë Ukshini, koordinatore e projekteve në organizatën‘’Germin’’ thotë që kjo gjendje i ka shtyrë që të hapin thirrjen ‘’Diaspora për gratë ndërmarrëse’’ me qëllimin që ato të përfitojnë njohuri të reja, kontakte me gratë ndërmarrëse në diasporë dhe mundësi për eksportin e produkteve tyre.
“Synimi i këtij projekti është fuqizimi dhe stabiliteti i bizneseve të grave në Kosovë, në këtë rast ne kemi hapur thirrjen për gratë ndërmarrëse të cilat mund të aplikojnë në këtë thirrje dhe të përfitojnë nga programi mentorshipit nga profesionistë të ndryshëm të diasporës”, është shprehur ajo.