Mustafa: Po kërkohet një “Asociacion Plus” e çdo gjë është kthim mbrapa, si ta kishte vizatuar Serbia

Prishtinë | 25 Jan 2023 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të dialogut në mes dy vendeve, gjatë vitit të kaluar pati më tepër ndërprerje, mospajtime e në disa raste edhe takime pa efekte pozitive.

Por pavarësisht deklarimeve të njëpasnjëshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Asociacioni nuk do të diskutohet nga ai e aq më tepër të nënshkruhet si marrëveshje nga shtetet e huaja kjo është ndër kërkesat kyçe.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë kjo e cila padyshim se do të binte ndesh me Kushtetutën e vendit.

E pikërisht në lidhje me këto kërkesa dhe propozimet e reja nga BE-ja për të dyja vendet, së fundi në Kosovë qëndruan pesë emisarë të huaj, në mesin e tyre edhe përfaqëuesi Speciali Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.

Por në lidhje me këto zhvillime të njëpasnjëshme, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.

Mustafa deklaroi se Asociacioni, nga ai i vitit 2013 i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, tani kërkohet të jetë “Asociacion Plus”.

“Asociacioni nga ai i vitit 2013 i ratifikuar në Kuvend, tani kërkohet të jetë Asociacion Plus. Ai i vitit 2013 plus vetëqeverisja e komunitetit serb dhe të drejtat shtesa të kishës ortodokse serbe. Këto të fundit janë pjesë e planit franko-gjerman”,theksoi Mustafa.

Madje sipas ish-kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, çdo gjë në lidhje me këtë është kthim mbrapa.

“Çdo gjë është kthim mbrapa, si me e pas vizatuar Serbia”,theksoi Mustafa.

Ndryshe në vazhdën e shumë zhvillimeve, por edhe brenda pak ditëve sonte në Kosovë do të qëndrojë sërish i dërguar i i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas diplomatëve në Bruksel, kjo vizitë duhet parë si vazhdim i përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, por edhe vetë shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman.

Sipas tyre, kjo gjë la përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.

Ndërsa vetë Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.

Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë deklaroi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet në planin e Bashkimit Evropian, i cili më herët është quajtur plani franko-gjerman.

“BE-ja dhe Borrelli insistojnë që ai plan të quhet propozimi i BE-së, mbështetur nga Gjermania e Franca. Këtë e pranoj plotësisht. E kemi pranuar këtë propozim më 9 shtator, ne besojmë bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje në negociata. Pra jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, Asociacioni mund të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo ndonjë mënyrë tjetër.“Sipas Kushtetutës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Ahtisaari ish-presidenti finlandez që e ka fituar çmimin Nobel, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e atij plani, asaj zgjidhje, thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani të Kushtetutës. Megjithatë, ne ofrojmë garancitë më të mëdha për të gjitha pakicat në Kosovë. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”, theksoi Kurti.

Në lidhje me ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, Borell ka diskutuar së fundi edhe para ministrave të Jashtëm të Bllokut gjatë 23 janarit. Propozimi i BE-së u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike

Të ngjashme