Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë çështja e formatimit të qeverisë, nuk do të kryhet para një shtatorit, pasi është edhe koha e pushimeve.
Ai ka theksuar se po punohet me partnerin qeverisës lidhur me format e riformatimit.
“Mendoj se posa ta përfundojmë çështjen e demarkacionit, do t’i qasemi seriozisht dhe do ta bëjmë një riformatim të Qeverisë, i cili nuk do të nënkuptojë vetëm riformatim teknik të Qeverisë, por nënkupton edhe një riformatim substancial dhe të kostos”.
“Duhet të bëjmë edhe reformimin e agjencive qeveritare, agjencive të pavarura. Duhet po ashtu të gjejmë mënyrën se si të zgjedhim anëtarët e bordeve për kompani publike dhe pavarura, sepse ka pasur vërejtje që kanë qenë prej jush, prej mediave, shoqërisë civile, të cilat ne do t’i kemi parasysh dhe do të gjejmë mënyrën më të mirë që të krijojmë transparencë të plotë para mediave, para publikut, para qytetarëve dhe shoqërisë civile, për cilësitë e njerëzve që nesër do të jenë anëtarë të bordeve të kompanive publike, sepse jam shumë i bindur që do t’i kontribuojë punës më të suksesshme të këtyre kompanive”, tha kryeministri.
Lidhur me ratifikimin ose jo të demarkacionit në Kuvend, kryeministri Mustafa, tha se duhet të bëhen përpjekje maksimale që të kalojë duke shprehur bindjen se kjo është në dobi të Republikës së Kosovës.