Mustafa: Shpresoj të ndalet përkrahja për qeverisjen mashtruese, të arrihet bashkëpunim i opozitës

Prishtinë | 13 Nën 2024 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka folur në lidhje me zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më nëntë shkurt të vitit të ardhshëm.

Mustafa ka deklaruar se pret reflektim të përgjegjshëm të qytetarëve.

“Nga zgjedhjet pres reflektim të përgjegjshëm të qytetarëve. Janë shumica qytetare ata që do duhej të vendosin se a duan të jetojnë me premtime të rreme, izolim e ndëshkim nga komuniteti ndërkombëtar apo duan zhvillim dhe përafrim euroatlantik. Vendeve ne krizë të vetëdijes iu pëlqejnë më shumë gënjeshtrat, e më rëndë e kanë të ballafaqohen me realitetin.” – u shpreh ai për Periskopin.

Veç kësaj, ai ka shtuar se shpreson që të ndërpritet përkrahje për qeverisjen aktuale, të cilën e ka quajtur “mashtruese”, dhe të arrihet një bashkëpunim i opozitës.

“Shpresoj se është koha të ndërpritet përkrahja për qeverisjen mashtruese. Ka nevojë të arrihet një bashkëpunim i opozitës e cila do duhej ta merrte përgjegjësinë në këtë moment të rëndë për udhëheqjen e vendit. Përgjegjësia është larg e larg më e madhe nga ajo se kush e sa do ti rrisë pagat. Duhet të ruhet dhe të mbrohet shteti.” – ka thënë tutje Mustafa.

“Nuk mund të them se cila parti do të del e para. Por do të pajtohesha se pushteti aktual po tregohet i pari në shkelje të ligjit e të Kushtetutës dhe në korrupsion. Është i vetmi pushtet që i ka shpallur luftë drejtësisë e jo shkeljes së ligjit. Por sa i përket votës, ajo është rezultat i perceptimit; me perceptim del nganjëherë se më shumë vlenë një urë 3 metra e gjatë sesa një autostradë 100 km. Në politikë, sidomos te ne nuk vlerësohet puna, vlerësohet mashtrimi, i cili bëhet vlerë perceptuese.” – ka thënë ai.

Të ngjashme