Mustafa: Spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të përfituar

Prishtinë | 10 Mar 2022 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Pas rritjes së çmimeve të produkteve bazë në vend, ish-kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar.

Sipas Mustafës, Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje për këtë periudhë, siç e ka quajtur ai, të ndërlikuar sociale dhe politike.

Mustafa ka thënë se çmimet e naftës, energjisë e të tjerave nuk i kanë ngritur qeveritë e kaluara.

“Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale por edhe politike. Më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve.Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka shtuar se nuk është roli i Qeverisë Kurti që ta edukojë dhe disiplinojë presidentin rus Vladimir Putin për ta bërë luftën në Ukrainë.

“Nuk është roli i Qeverisë tonë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin as për të bërë luftën në Ukrainë. Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë”, ka thënë Mustafa.

“Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, ka shtuar Mustafa në Facebook.

Të ngjashme