Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, para takimit me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë para medieve, se bashkë me të nominuarin e kësaj partie për kryeministër Avdullah Hoti, do të bisedojnë lidhur me punën që është bërë deri më tani për të finalizuar koalicionet, raporton Ekonomia Online.
Mustafa ka thënë se koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe i ka numrat. Ai ka thënë se ende nuk i kanë diskutuar emrat e ministrave të mundshëm.
Në këtë takim, Mustafa do të njoftohet se deri ku kanë arritur negociatat me partitë tjera për koalicion.
“Jemi duke biseduar, unë nuk kam qenë i kyçur drejtpërdrejt por ka qenë kandidati për kryeministër Avdullah Hoti. Ai është sot këtu dhe me të do të bisedojmë se deri ku kemi mbërri. Kur të jenë marrëveshjet gati, unë si kryetar i LDK-së i nënshkruaj, mirëpo negociatat i bënë ekipi në krye me zoti Hotin”, tha ai.
Ndërsa për emrat e LDK-së për ministra, Mustafa tha se nuk i kanë diskutuar në parti.
“Njëherë jo sepse emrat do të dalin në Kryesi. I kemi numrat sepse po të mos i kishim nuk do të kishim punu”, tha ai.