Mustafa: Tubime masive të LDK-së, askush si ne nuk e ka planin dhe ekipin për të ardhmen e vendit

Prishtinë | 29 Jan 2025 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se çdo ditë e më shumë në tubimet elektorale të LDK-së po shtohen radhët e qytetareve për pjesëmarrje, raporton Ekonomia Online.

“Kemi qindra e mijëra njerëz që prej vitesh nuk vijnë në tubime politike e që tani po vijnë, çdo ditë e më shumë. Janë njerëz që po llogarisin tek ne që të kujdesemi për të ardhmen e Kosovës sepse e dinë që askush tjetër nuk do ta bëjë këtë”, tha ai.

Mustafa tha se qytetarët po besojnë të LDK-ja, pasi sipas tij askush tjetër nuk e ka planin dhe ekipin për të ardhmen e Kosovës ashtu siç e ka kjo parti për të udhëhequr vendin.

“Askush tjetër nuk ka aftësinë për ta bërë këtë. Askush tjetër nuk e ka planin për ta bërë këtë. Dhe askush tjetër nuk e ka udhëheqësin dhe ekipin për ta bërë këtë. Vetëm LDK-ja ka planin, programin, aftësinë, dijen, ekipin dhe udhëheqësin që të kujdeset për të ardhmen e Kosovës”, theksoi Mustafa.

Mustafa ka bërë thirrje për një mobilizim të votuesve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ju kërkoj e ju rikujtoj: bisedoni me familjen tuaj, bisedoni me miqtë tuaj, sigurohuni që më 9 shkurt të dalin dhe të votojnë për LDK-në që të sjellim ndryshimi që duam.” tha ai në konferencën për media.

Të ngjashme