Pas rivistës që kryeministri Isa Mustafa e komandanti i përgjithshëm i FSK-së, Kadri Kastrati i bënë para njësiteve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” dhe pas vendosjes së kurorave të luleve para lapidarit të Adem Jasharit, të pranishmëve iu është drejtuar kreu i ekzekutivit.
Mustafa ka thënë se ditët e Epopesë së UÇK-së nuk reshtën deri më 12 qershor 1999 kur Kosova u çlirua përfundimisht dhe së bashku me përkrahjen e botës demokratike nisi një fazë të re, atë të paqes, shtetndërtimit dhe zhvillimit.
Mustafa shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen e vendeve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s që në ditët më të vështira i dolën krah Kosovës.
“17-vjetori i rënies së Adem Jasharit dhe bashkë familjarëve të tij e gjen Kosovën me shumë arritje; Kosova e njohur nga 108 shtete, anekënd globit, ka vënë marrëdhënie të ngushta me shumë vende të botës, duke e forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe duke shënuar rezultate të prekshme në çdo fushë të jetës”.
Transformimi i UÇK-së në TMK dhe i kësaj të fundit në FSK është vetëm një nga rrëfimet e shumta të suksesit të Kosovës së lirë, sovrane e demokratike.
“Kuptohet, procesi i avancimit të FSK-së do të vazhdojë më tej me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë forca moderne ushtarake, të pajisura me të gjitha cilësitë e nevojshme të një ushtrie të aftë për të siguruar stabilitet e paqe dhe për të marrë pjesë në misione humanitare e paqësore me synim që të ketë vendin e vet në NATO”, tha Mustafa.
Edhe komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati tha se FSK është në rrugë të mirë për t’u shndërruar në FAK.
Sipas tij, në përvjetorin e ardhshëm të Epopesë së UÇK-së, FSK do të jetë ushtri.