Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të MINT-it për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit.
Mustafa tha se vendimi i MINT-it është i padrejtë ndaj Klan Kosovës, kurse është i dëmshëm për shtetin dhe se vendi, sipas tij, po rrëshqet në diktaturë.
“Vendimi i Qeverisë, për TV Klan Kosova është i padrejtë , kurse për Kosovën i dëmshëm dhe alarmues se vendi po rrëshqet në diktaturë”.
“Nëse ka pasur lëshime ligjore dhe kushtetuese në të cilat po thirret qeveria, atëherë masat do duhej të ndërmerren ndaj organeve të ministrisë që e kanë bërë regjistrimin e jo ndaj televizionit, që është regjistruar sepse ai nuk e ka regjistruar vetveten por ka aplikuar për regjistrim në ministri dhe ministria ia pranuar dokumentacionin si valid. Prandaj, ky është absurd i llojit të vet”, tha Mustafa për GazetaBlic.