Mustafa viziton zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Ekrem Mustafa po qëndron për një vizitë në Republikën e Shqipërisë, ku u prit nga zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj.

Mustafa dhe Hodaj zhvilluan një vizitë në Maminas, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 21 shtatorit.

Ministri Mustafa në emër të Qeverisë së Kosovës shprehu solidaritetin me qytetarët shqiptarë të prekur nga kjo situatë dhe nënvizoi se qëllimi i vizitës është identifikimi i nevojave dhe mundësive që ka Kosova për ndihmë. 

“Unë si ministër i Punëve të Brendshme kam ardhur të solidarizohem me gjendjen aktuale pas tërmetit në Shqipëri, për së afërmi të prekim situatën edhe të shohim, se si të identifikojmë problemin edhe nevojën, se çfarë ka mundësi Kosova t’u ndihmojë këtyre qytetarëve dhe shtetit shqiptar. Ne bashkëpunimin me qeverinë shqiptare e kemi shumë të mirë, do të thotë edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme. I kemi përfunduar të gjitha marrëveshjet që konsistojnë në ndihmat e përbashkëta njëri me tjetrin. Si në këtë rast emergjence, ashtu dhe me probleme të tjera që e ruajnë stabilitetin e shtetit.

Ndërsa Julian Hodaj, zv.ministër i Brendshëm i Shqipërisë u shpreh se janë identifikuar dëmet e shkaktuara dhe tani do të vijojë ndërhyrja për të rregulluar banesat, që janë prekur nga tërmeti.

“Situata është pak a shumë ajo që jeni informuar gjatë ditëve të kaluara. Është përmbyllur pothuaj procesi i verifikimit dhe janë përcaktuar edhe prioritetet e ndërhyrjes që do fillojnë kuptohet nga ato situata që janë më në nevojë urgjence. Ajo që na ngroh dhe që na kënaq deri diku është që gjithë ai mekanizëm planifikimi dhe ndërhyrjeje, që ishte i planifikuar në letër, e tregoi që edhe në praktikë u zbatua me përpikëri, sa kohë që në orët e para pati një përgjigje të të gjitha strukturave të emergjencës, duke filluar që nga pushteti qendror duke vazhduar dhe me pushtetin vendor”, u shpreh Hodaj.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme