Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), raporton Ekonomia Online.
Për medie është prononcuar zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.
Ai tha se janë unik në qëndrime dhe se takimet do të vazhdojnë me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e një marrëveshje.
Mustafa tha se nuk ka barrikadime, por që janë për një marrëveshje për mirëbesim për koalicionin.
“Ne jemi unik në qëndrime. Kemi përafrime me VV-në. Takimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes. Do të vazhdojnë negociatat deri në arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje. Nuk kemi barrikadime. Jemi duke biseduar që së bashku të arrijmë deri në një marrëveshje”, ka thënë Mustafa
Ai u pyet nga gazetarët edhe për përplasjen ndërmjet Agim Veliut e Vjosa Osmanit.
Mustafa tha se në mbledhjen e kryesisë nuk është diskutuar për këtë gjë.
“Jemi duke negociuar për të arritur një marrëveshje që të kemi propozime të përbashkëta, sepse vullneti i LDK është që të kemi një bashkëqeverisje”, tha Mustafa, raporton EO.
Ai tutje ka thënë se sot është diskutuar vetëm për negociatat me VV-në dhe jo edhe për takimin e Osmanit me Kurtin në Kuvend.
“Ne jemi duke ndërtuar mirëbesim dhe mirëkuptim me Lëvizjen Vetëvendosje. Besoj që sot do të mbahet takimi i radhës mes dy liderëve. Kemi vullnet që të arrijmë marrëveshje dhe pjesë e marrëveshjes është që të gjitha palët të bëjnë kompromise”, ka thënë ai.