Me organizimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës si dhe aktivistes Hana Hoxha, sot u hap ekspozita policore me fotografi, për nder të 20-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se kjo ekspozitë është njëra nga aktivitetet më domethënëse në mesin e gjitha aktiviteteve në 20-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
“Ekspozita është e veçantë e ka vendin dhe tregon shumë, kjo ekspozitë do thotë shumë faleminderit ju që keni dhënë kontributin që kjo ekspozitë të dal sa më mirë. Ne do kemi shumë aktivitete tjera por njëra nga aktivitetet më të mira do jetë aktiviteti i sotëm ekspozita ku po paraqitet institucioni policor që nga krijimi i saj”, tha Qalaj.
Ndërsa Shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se Policia e Kosovës është një storie e suksesit të vendit, e gjithë kjo sipas Braathu, për shkak të arritjeve të mëdha të Policisë së Kosovës.
“Është kënaqësi për mua të jem këtu në 20-vjetorin e themelimit të policisë dhe 20 vjet tingëllon shumë gjatë por për ata që kanë qenë pjesë e këtij institucioni 20 vite janë pak, suksesi juaj është edhe suksesi ynë. Policia e Kosovës është një storie e mirë e suksesit, jo për shkak nesh por për shkak të arritjeve tuaja”.
Ndërsa Alisa Gojani-Berisha, nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, tha se shpreson që ky bashkëpunim të jetë fillim i rrugëtimit mes Muzeut të Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
“Është kënaqësi për muzeun të mirëpres këtë ekspozitë të 20-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. Shpresoj që kjo ekspozitë të jetë vetëm fillimi i rrugëtimit të Muzeut së Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës”.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, tha se ai e sheh Policinë e Kosovës si linja e parë dhe e fundit që i mbronë qytetarët.
“Unë e shoh Policinë e Kosovës si linja e parë dhe e fundit në mbrojtje të qytetarëve”, tha Rashiq.
Shumë hulumtime e kanë nxjerrë Policinë e Kosovës si institucionin më të besueshëm dhe kredibil në vend.